Kurbin, kapet i kërkuari për vrasje në ‘91
KURBIN - Policia e Kurbinit arrestoi dje një person të shumëkërkuar të dënuar për vrasje. Sipas burimeve, gjatë një kontrolli të rastësishëm u prangos 45-vjeçari Ernest Mirami. Ai ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Kurbinit, për një vrasje që ka ndodhur në vitin 1991, duke e dënuar me mungesë me 15 vjet burg. Mësohet se 45-vjeçari ka vrarë me armë zjarri shtetasin Ndoc Meta. Policia e arrestoi fillimisht Miramin, pasi dyshohej për veprën penale të falsifikimit. Por pas hetimeve të kryera dhe krahasimit të gjurmëve, rezultoi se i arrestuari ishte një i shumëkërkuar për vrasje. Tashmë 45-vjeçarit, veç akuzës për falsifikim, do t’i duhet të përballet edhe me atë të vrasjes, për të cilën ka marrë edhe dënimin. Burimet nuk bëjnë të ditur nëse ai e ka pranuar autorësinë e krimit të ndodhur rreth 18 vjet më parë. r.n