Vlorë, “rrëzohen” 400 maturantët
VLORE/ QEMAL BIRAKU
Universiteti i Vlorës “rrëzon” 400 maturantët me mesatare nën 6.
Dje ishte afati i fundit i regjistrimit, por vendimi i senatit mbeti në fuqi, duke iu hequr shansin maturantëve të uleshin në auditoret e këtij universiteti. Zv/rektori, Eustrat Zhupa, konfirmoi mbrëmë ditën e fundit të regjistrimit, duke pohuar gjithashtu edhe vendosmërinë e senatit për të mos pranuar në auditoret e tyre nxënës pa nivel. Sipas tij, vendimi ligjor është bërë publik me kohë. “Afati i regjistrimet në universitet ishte sot (dje) deri në orën gjashtë. Tashmë ky orar ka kaluar dhe ne nuk kemi regjistruar asnjë maturant që nuk përmbushte kriteret e vëna nga ne, siç ishte edhe mesatarja”, u shpreh zv/rektori Zhupa. Ai nuk komentoi më tej nëse mund të kishte ndonjë shtyrje afati tjetër për t’i regjistruar ata, duke lënë të kuptohet se për këtë vit akademik janë djegur të gjitha shanset që këta maturantë të regjistrohen. Universiteti i Vlorës ka thyer dy urdhra të MASH. Ministri i sapoemëruar, Myqerem Tafaj u takua me një përfaqësi të maturantëve në zyrën e tij dhe iu dha të drejtë pretendimeve të tyre, duke iu dhënë edhe shpresë se kjo çështje do të merrte zgjidhje në favorin e tyre. Por kjo çështje, ndryshe nga sa pritej, nuk mori zgjidhje. Rektori Shaska nëpërmjet një e-maili nga Amerika, i cili u publikua në faqen zyrtare të Universitetit “Ismail Qemali”, konfirmoi se nuk do t’i regjistronte studentët pa mesatare. Pas këtij reagimi, ministri Tafaj dha një urdhër të dytë. Por as ky urdhër nuk u përmbush, duke sjellë reagime të ashpra të Rektorit e stafit akademik të Vlorës. Shaska i bëri të ditur MASH-it se nuk kishte ndërmend të ulte nivelin e universitetit të tij me nxënës pa mesatare. Madje deklarata e tij përmbante edhe nota ironie, duke iu bërë thirrje 400 maturantëve se do t’u bënte një test të matematikës së klasës së katërt dhe më pas rezultatet e tyre do t’i publikonte. Zv/rektori i Universitetit të Vlorës nuk pranoi të komentojë dje urdhrat e ministrisë, por sipas tij, vendimi i senatit akademik ishte ligjor. Dy ditë më parë, maturantët paralajmëruan se do t’i bashkëngjiteshin grevës së urisë së studentëve të juridikut, por këta të fundit gjetën gjuhën e përbashkët me ministrinë për diplomat. Tashmë iu ka mbetur edhe maturantëve të vendosin se në çfarë forme do të arrijnë të futen në universitet. Dje, pak prej tyre iu drejtuan sekretarisë së fakulteteve për t’u regjistruar, nga ku morën të njëjtën përgjigje negative.
LSI
Përfaqësuesi i LSI-së, Besjan Pesha, zhvilloi dje një takim me maturantë të cilët kanë fituar të drejtën e studimit, por janë me mesatare poshtë notës 6 dhe që nuk kanë mundur ende të regjistrohen në Universitetin e Vlorës. Mësohet se Pesha ka kontaktuar me zv.rektorin, Eustrat Zhupa, për të gjetur konsensusin e munguar ndërmjet palëve. Duke komentuar zbutjen e qëndrimeve të Rektorit të Universitetit të Vlorës, Pesha theksoi se “nuk është aspak e drejtë sorollatja e maturantëve nëpër dyert e këtij Universiteti, pasi Rektori Tanush Shaska nuk pranon të zbatojë urdhrin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave (MASH) për pranimin e tyre”. Gjithashtu, ai u shpreh se “opozita duhet t’i mbaj larg duart nga përdorimi i kësaj situate për arsye politike”.