Solis: Rama është në krizë. Bojkoti i PS, i gabuar
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kundërshton idenë e bojkotimit të Parlamentit nga opozita. Përpos faktit që PBDNJ firmosi paktin e bashkëpunimit me PS-në për të qenë pjesë e koalicionit të majtë, strukturat e partisë së minoritetit grek mendojnë ndryshe pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, e ka cilësuar si të gabuar vendimin e PS-së për të bojkotuar Parlamentin e ri. PBDNJ, nga këto zgjedhje, arriti të marrë vetëm një mandat deputeti dhe përfaqësohet në Kuvend me kryetarin e saj, Vangjel Dule. Ish-ministri dhe ish-deputeti i PBDNJ-së, Leonard Solis, nëpërmjet një deklarate komentoi vendimin e Partisë Socialiste për bojkotin e kushtëzuar të Kuvendit. Solis ka thënë se vendimi i një dite më parë i Partisë Socialiste për të bojkotuar Kuvendin është një vendim i gabuar dhe sipas tij, kjo tregon se Rama është në krizë personale. "Kriza e Ramës është kthyer në krizë partiake dhe këtë krizë do ta bëjë edhe krizë institucionale me pasoja për vendin", tha Solis, ndërsa shtoi se "PBDNJ do të jetë në Kuvend sot gjatë hapjes së punimeve të tij për këtë legjislaturë", tha Solis. Kryeministri Sali Berisha me gjithë batutën "Kujdes Vangjel!" për ish-bashkëpunëtorin e tij për katër vitet e shkuara në qeveri bëri edhe ftesën publike se do të pranojë edhe PBDNJ-në të kalojë sërish nga e djathta. Por për këtë, kreu i PD-së nuk ka sqaruar se çfarë pozicioni do të ketë Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut në qeverinë e tij të re. Nga ana tjetër, kreu i PBDNJ-së sqaroi se deri tani nuk ka asnjë ftesë për bashkëqeverisje nga Kryeministri Berisha. Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, njëkohësisht ish-kandidat për deputet në Tiranë në zgjedhjet e fundit, sqaroi se struktura e partisë së tij është duke e shqyrtuar ofertën e Kryeministrit Berisha. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Leonard Solis, e cilëson ftesën e Kryeministrit Berisha për bashkëqeverisje si një çështje në diskutim e sipër. Kongresi i ardhshëm i PBDNJ-së do të mblidhet në fund të muajit shtator pas formimit të qeverisë. E.A