E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kushtet e bojkotit, PS ngre grupin e punës

24 orë para fillimit të seancës së parë të Parlamentit shqiptar, Partia Socialiste konstituon grupin e punës, që do të punojë për kushtet përballë qeverisë dhe Parlamentit. Dje pasdite Edi Rama ka mbledhur në një takim bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, si Gramoz Ruçin, kryetarin e Asamblesë Kombëtare; sekretarin e çështjeve ligjore në këtë parti, Fatmir Xhafaj; anëtarin e kryesisë, Pandeli Majko, si dhe disa figura mbështetëse të tij, për të diskutuar mbi materialin që do përpilohet dhe dorëzohet më vonë në Parlament. Do të jetë puna e këtij grupi që do të përcaktojë kushtet kur do paraqiten ata në Kuvend dhe deri kur mund të shkojë edhe afati i bojkotit. Paraprakisht, kërkesa e parë e socialistëve konsiston në ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar të pakushtëzuar nga votat e shumicës parlamentare, të zgjedhjeve të 28 qershorit. Së dyti, të nisë në mënyrë të menjëhershme identifikimi i përgjegjësive të qarta institucionale ndaj të gjithë atyre që kanë përdorur asetet shtetërore. Së treti, të analizojë menjëherë përgjegjësitë e qarta institucionale, administrative e penale në Ministrinë e Drejtësisë, që kanë shkelur ligjin për trajtimin dhe lirimin e të dënuarve gjatë procesit zgjedhor. Së katërti, të evidentohen përmes një komisioni të posaçëm shtetëror të gjitha rastet e largimit nga puna të personave për shkak të angazhimit në fushatën elektorale etj. Një tjetër kërkesë lidhet me hetimin e mëtejshëm të vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi. Mungesa e 64 deputetëve të selisë rozë vjen si rezultat i vendimit të marrë nga grupi parlamentar dy ditë më parë, për t‘u rikthyer vetëm në seancën ku do të bëhet betimi, në mënyrë që mandati i tyre të jetë i vlefshëm. Në fundjavë, PS u përfshi nga debate të shumta rreth mundësisë së bojkotit. Fillimisht kjo ide u diskutua në kryesinë e saj dhe në përfundim anëtarët votuan pro bojkotit me kushte, por ia lanë grupit parlamentar vendimin përfundimtar. Pas mbledhjes, kreu i PS-së tha se zgjedhjet e 28 qershorit ishin një fasadë, ndaj PS nuk mund të hyjë në Parlament pa vënë kushtet e saj. Por kundërshtari i tij, Ben Blushi, tha se vendimi për bojkot është për interesa personale të Edi Ramës. Debati vijoi një ditë më vonë në grupin parlamentar. Grupi, për shkak të debateve të shumta që arritën deri në fyerje personale, vendosi ngritjen e një grupi pune, i cili do të hartojë një paketë me kushte për mazhorancën. Ndërkohë, përballë këtij bojkoti, PS ka marrë parasysh edhe reagimet e faktorit ndërkombëtar, të cilët janë shprehur përherë skeptikë ndaj nismave të tilla. Në një komunikim me mediat dy ditë më parë, kreu i PS-së është shprehur se ka më shumë rëndësi demokracia dhe standardet në vendin tonë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›