E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurdisjet i nxjerrin punë Harbuzit

Labinot Harbuzi së bashku me shtatë lojtarë të tjerë të Genclerbirligit kanë dëshmuar të hënën në organet turke të hetuesisë, rreth kurdisjeve të ndeshjeve në futbollin turk. Nga Express më 24 gusht 2011 në ora 12:32

Skandali i kurdisjeve në futbollin turk i kanë nxjerr punë Labinot Harbuzit. E përditshmja suedeze, Sportbladet shkruan se futbollistit kosovar së bashku me shtatë lojtarë të tjerë të Genclerbirligit kanë dëshmuar të hënën në organet turke të hetuesisë, përkatësisht në qendrën policore të Stambollit rreth kurdisjeve të ndeshjeve të cilat e përfshinë kohëve të fundit futbollin turk.

Mesfushori kosovar, i cili e la Malmon në verën e vitit 2009 për t’u bërë pjesë e skuadrës turke, së bashku me disa futbollistë të tjerë të Genclerbirligit, nuk akuzohen për ndonjë vepër kriminale, por ata janë në mesin e më shumë se 150 personave brenda dhe jashtë futbollit turk që janë dëgjuar nga organet e hetuesisë prej fillimit të korrikut duke e komentuar në versionet e tyre skandalin që shpërtheu në Turqi.

Ndërsa, futbollisti tjetër kosovar i Gençlerbirligit, Debatik Curri, nuk është ftuar fare për dëgjim, ngase pjesën më të madhe të sezonit ka qëndruar jashtë fushës së blertë, për shkak të një lëndimi të rëndë.

Deri më tash, 31 persona janë arrestuar nga organet e rendit në Turqi, pasi ata akuzohen për përfshirje në kurdisje të rezultateve të ndeshjeve në elitën e futbollit turk, por edhe në një rangë më të ulët garash.

Në fund të muajit korrik, ndër të tjera, ishin arrestuar edhe dy ish-zyrtarë të Genclerbirligit, të dyshimtë për përfshirje në veprime të tilla, pasi kjo skuadër befasoi për të keq në elitën turke, pasi garat kampionale në sezonin e shkuar i përfundoi duke u pozicionuar në vendin e 14-të të tabelës së klasifikimit. Por, Genclerbirligi nuk është skuadra e vetme që po hetohet.

Pista e hetimeve rreth këtij skandali shtrihet në gjigantët turq, Fenerbahce, Besiktas e Trabzonspor dhe si rezultat i kësaj ‘hallakame’, fillimi i edicionit të ri i futbollit turk është shtyrë për më shumë se një muaj. Kështu, garat e reja kampionale pritet të nisin më 9 shtator.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›