Rasti i Canës

Lorik Cana do ta ketë mundësinë t’i shfaqë vlerat e tij në ndeshjen e kthimit të Europa League ndaj ekipit maqedonas, Rabotniçki. Do të jetë pikërisht mesfushori shqiptar i vëzhguari kryesor i ndeshjes, duke e ditur se, pas Cisses e Kloses, është lojtari më i rëndësishëm që arriti në Lazio këtë verë, me përvojë ndërkombëtare, shkruan e përditshmja italiane, ‘Messaggero’.
Kjo do të jetë mundësia e madhe, ndërsa lëndimi i Brocchit mund t’ia mundësojë ish-futbollistit të Galatasarayt që të debutojë edhe në xhiron e parë të Serie A. Gjithçka do të varet nga loja që do ta shfaqë në Maqedoni, përkatësisht në Shkup, të enjten.
Do të jetë një ndeshje vendimtare për përfaqësuesin shqiptar, i cili, gjithnjë sipas kësaj të përditshmeje, po përgatitet si të ishte një finale e Ligës së Kampionëve. Po ashtu, mjafton të ceket se për ta parë atë, në stadium pritet të arrijnë rreth 300 tifozë shqiptarë, për të cilët ai është një simbol.
Sigurisht, ish-lojtari i PSG-së, Olympique Marseilles e Sunderlandit do të dëshironte të jetë menjëherë idhull edhe në aventurën e re, por kjo nismë e turbullt nuk ia mundësoi atij që të dalë në pah. Cana është mësuar të jetë lider në fushë dhe jashtë saj. Me karakterin dhe personalitetin e tij, i ka rrëmbyer të gjitha në zhveshtore, ndërsa tash është i motivuar ta rrëmbejë definitivisht edhe trajnerin Edy Reja.
Loja e Shkupit do të jetë hapi i parë për ngritjen e tij. Ambienti evropian do ta ndihmojë, duke e pasur parasysh se ka zhvilluar rreth 50 ndeshje në Ligën e Kampionëve dhe në Europa League. Ai nuk dëshiron ta lëshojë assesi këtë rast, pasi që e deshi me ngulm transferimin në Lazio dhe është i bindur se mund të kontribuojë për këtë skuadër.