Ndarja nga futbolli, e vështirë

Golashënuesi më i mirë në historinë e Kombëtares shqiptare, Alban Bushi përfundimisht ka vendosur t’i thotë lamtumirë futbollit. Ai do të largohet përgjithmonë nga fusha e gjelbër si lojtar më 2 shtator, përpara fillimit të takimit për eliminatoret e ‘Euro 2012’, Shqipëri – Francë.
Në fakt, ish-sulmuesi i disa klubeve të njohura turke dhe greke para disa muajsh ishte tërhequr nga futbolli, derisa këtë ka vendosur ta bëjë edhe zyrtarisht. 37-vjeçari tregon se nuk është e lehtë të largohet nga futbolli.
“Unë erdha te Tirana sezonin e kaluar për ta përmbyllur karrierën, por nuk munda të rri deri në fund të sezonit, pasi nuk isha mësuar të luaj në asi ambienti dhe u tërhoqa para kohe”, ka thënë Bushi për Express.
“Ta lësh futbollin kur jeni duke luajtur nuk është aspak e lehtë, por vjen një ditë kur duhet ta lësh. Ta lësh futbollin është sikur ta lësh familjen, pasi unë gati që 26 vjet merrem me futboll”, shtoi ai.
Si çdo futbollist tjetër, edhe Bushi, pas pensionimit nuk mendon të mbetet larg futbollit. Ai ende nuk ka vendosur për të ardhmen, por mendon të bëhet trajner ose menaxher i futbollistëve.
“Pasi ta lësh futbollin, është diçka e mirë, pasi mund të bëhesh trajner ose menaxher. Unë ende nuk kam vendosur se me çfarë do të merrem”, theksoi Bushi, i cili njihet me nofkën ‘Loku’.
Kështu, Bushi do ta mbyllë një karrierë të mbushur plot me suksese. Sulmuesi 37-vjeçar karrierën e kishte nisur në vitin 1989 te skuadra e famshme shqiptare, Tirana. Para se ta vazhdonte karrierën jashtë vendit, Bushi kishte luajtur edhe për ekipin e Flamurtarit nga Vlora.
Një pjesë të madhe të karrierës, tiranasi e ka kaluar në futbollin turk, ku ka luajtur për skuadrat Adanaspor, Istanbulspor e Trabzonspor. Po ashtu, Bushi për disa vite me radhë ishte pjesë edhe e skuadrave greke si Levadiakos, Apollon Kalamarias e Levadiakos.
Gjatë karrierës, ai luajti edhe për disa klube gjermane dhe bullgare, kurse së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Tiranës, me të cilën zhvilloi vetëm pak ndeshje në kampionatin shqiptar.
Ndërsa, në nivelin kombëtar, Bushi ka luajtur rreth 70 ndeshje me përfaqësuesen e Shqipërisë, në fanellën e së cilës kishte debutuar në vitin 1995. Gjatë këtyre viteve, ai ka realizuar 14 gola me Kuqezinjtë dhe ende mban rekordin – golashënuesi më i mirë në historinë e Shqipërisë.
Në takimin Shqipëri – Francë, sulmuesi shqiptar do ta shkelmojë topin e parë nga qendra për të mbetur si një kujtim i bukur për të, sportdashësit dhe Kombëtaren shqiptare.