Tentoi të kalonte si klandestin kufirin, shqiptari sulmohet nga ariu
Korçë - Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në kufirin shqiptaro-grek, me protagonist një emigrant shqiptar, 42 vjeç. Sipas Policisë së Kosturit, emigranti emri i të cilit nuk bëhet publik, po kalonte me dy shqiptarë të tjerë ilegalisht kufirin në Trigono, në brigjet e Prespës. Në rrethana që ende nuk dihen, rruga e klandestineve u ndërpre prej sulmit të një ariu, që po kalonte në shtegun e emigrantëve bashkë me këlyshin. Ariu i sulmoi emigrantët duke i shkaktuar 42-vjeçarit plagë të thella në kokë dhe në krah. Dy të tjerët u larguan të trembur, duke e lënë 42-vjeçarin në mëshirën e fatit. Ngjarja do të kishte fund tragjik nëse pak metra me tutje nuk do të kalonte një patrullë e Policisë greke, e cila me të shtëna në ajër dhe sende të forta arriti ta largojë ariun, duke i shpëtuar kështu jetën emigrantit. Ai u dërgua me urgjencë në Spitalin e Follorinës. Mjekët thanë për mediat greke se gjendja e 42-vjeçarit nuk është e rëndë dhe brenda dy ditësh do të lërë spitalin për t’u dërguar në Shqipëri.
Humb jetën 44-vjeçari, po hapte një pus në oborrin e shtëpisë
Shkodër – Rreth orës 09:30 të ditës së djeshme, në fshatin Grudë e Re, Shkodër, shtetasi Luigji Pepa, 44 vjeç, në përpjekje për të hapur një pus, pikërisht në oborrin e shtëpisë së tij, ka gjetur vdekjen. I gjendur në thellësi të pusit ai është asfiksuar nga mungesa e oksigjenit. Një i afërm i viktimës, shtetasi Kristjan V., është përpjekur ta ndihmojë, por nuk ia ka dalë dot. Për pasojë ai është dëmtuar dhe vetë. Aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin rajonal, jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë grupi hetimor, i cili në bashkëpunim me forcat e specializuara të RENEA-s, po punojnë për nxjerrjen e kufomës.
20 Qershor 2009