E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Kekës, policia shoqëron 20 persona për të mbledhur informacion

Pyeten personat që e kanë takuar dhe të tjerë që mendohet se zotërojnë të dhëna. Ende asnjë pistë hetimore nga ana e Policisë, hetimet janë në një fazë fillestare

Habjon Hasani

Tiranë - Rreth 20 rezulton të jetë numri i personave që policia deri tani ka shoqëruar për të marrë informacione mbi aktin e vrasjes së kreut të Partisë Demokristiane në Malësinë e Madhe, Aleksandër Keka. Sipas të dhënave policore, të shoqëruarit janë pyetur për lëvizjet e orëve dhe minutave të fundit të Kekës, por në mënyrë zyrtare ende nuk ka ndonjë pistë hetimi. Ndërkaq, autopsia e bërë ndaj të ndjerit ka treguar se vdekja e tij është shkaktuar nga aktivizimi i eksplozivit, ndërsa makina me të cilën udhëtonte ishte në lëvizje. Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha provat nga vendi i ngjarjes, ndërsa duke u nisur nga dëmtimet e shkaktuara në trupin e Kekës, dyshohet se eksplozivi është vendosur në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit dhe aktivizimi është bërë përmes një telekomande në distancë. Dje pasdite është zhvilluar dhe ceremonia mortore për Aleksandër Kekën.
Pyetjet
Policia e Shkodrës nuk ka marrë ende në pyetje personin e fundit që ka takuar Aleks Keka, rreth 40 minuta para se të vdiste. Mark Luma, kandidat për deputet i PDK-së në Malësinë e Madhe, tregon se ai ka qenë personi i fundit që ka kontaktuar me Aleks Kekën dhe kanë pirë kafe së bashku. Por, pas konstatimit se vdekja e Kekës ishte vrasje, policia, në kuadër të hetimeve, nuk e ka marrë në pyetje ende Mark Lumën për të dhëna më të hollësishme. Luma tregon se Keka i kishte rrëfyer po ditën që vdiq se kërcënohej vazhdimisht në telefon. “Kam pirë kafe me Aleksin në një bar-kafe në qendër të Koplikut. Biseduam për përgatitjet e fushatës. Keka më tregoi se ndjehej i kërcënuar. Edhe pse jam personi i fundit që kam kontaktuar me Kekën, grupi hetimor ende nuk më ka marrë në pyetje për ngjarjen”. Kandidati i PDK-së për deputet në Malësinë e Madhe zgjeron rrëfimin duke dhënë detaje mbi figurën e Kekës. Ai thekson se Keka nuk ishte i rrezikshëm. “Ai qarkullonte lirisht çdo ditë. Dhe ditën e fundit të jetës së tij pimë kafe së bashku. Kur u ndamë, 40 minuta më pas, mësova lajmin për vdekjen e tij”, - tha Luma.
Policia
Në mënyrë krejt të papritur, fill pas ngjarjes, zëdhënësi i Policisë deklaroi fill pas ngjarjes se kreu i PDK-së së Malësisë së Madhe, Aleks Keka, ishte person i evidentuar në disa precedentë antiligjorë të rëndë. Kjo deklaratë publike dhe zyrtare e ardhur nga Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit duket se ka kaluar çdo imagjinatë mbi reagimin e këtij institucioni, i cili e ka të ndaluar me ligj të japë cilësime të tilla pa pasur prova. Në rast të kundërt, pra nëse provat kanë ekzistuar, atëherë Policia është direkt përgjegjëse për “lënien të lirë” të personave me precedentë penalë. Për më tepër kjo deklaratë e Policisë duket sikur në mënyrë të tërthortë ka “bekuar” të gjitha vrasjet që kanë ndodhur dhe mund të ndodhin, mjaft që të dalë një përfaqësues i Policisë para kamerave dhe të deklarojë se ajo kishte disa informacione të dyshimta mbi personin/at e ekzekutuar. Nisur nga ky qëndrim disi “i çuditshëm” i Policisë menjëherë ka ardhur dhe deklarata publike e numrit një të Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i cili i është kundërpërgjigjur ashpër qëndrimit të institucioneve shtetërore në lidhje me ngjarjen. “Policia është e papërgjegjshme me deklaratat që lëshon. Ai ishte një njeri i nderuar dhe i respektuar i zonës dhe nuk ka pasur probleme me policinë. Këto deklarata janë shpifje të ulëta. Policia e vrau për herë të dytë Kekën sot”, - theksoi Ndoka dy ditë më parë.

Minat me celular

Duket se “moda” e minave me celular ka hyrë në aktivitetin kriminal. Një nga arsyet është moslënia e gjurmëve në vendin e ngjarjes dhe komandimi i saj me anë të telefonit nga një distancë. Kjo e bën më “komode” punën për një nga personat që do të kryejë një krim të caktuar. Ekspertet thonë se lënda plasëse më e përdorur në këto raste është ajo plastike, ose ndryshe C4, me ndezës, me bateri, që ushqehet me rrymë elektrike dhe komandohet me aparat telefoni celular. Pikërisht ky i fundit, kur aktivizohet thirrja, ushqen baterinë (e karikon), e kjo kapsollën detonatore, që realizon shpërthimin e lëndës plasëse.

Kreu i PDK-së, Keka, përcillet për në banesën e fundit

Është zhvilluar pasditen e djeshme, në fshatin Pjetroshan, ceremonia mortore për Aleks Kekën, kreun e PDK-së në Malësinë e Madhe, i cili humbi jetën pas shpërthimit të automjetit të tij me telekomandë në distancë. Mësohet se në vendngjarje ishin të shumtë ata që po përcjellin Kekën, babanë e 3 fëmijëve, në banesën e fundit. Të afërm, miq, shokë e bashkëpunëtorë, por dhe përfaqësues të demokristianëve, ku përfshihet edhe kreu PDK-së, Nard Ndoka, i kanë dhënë lamtumirën e fundit Aleks Kekës. Fillimisht trupit të pajetë të të ndjerit i janë bërë ritet e fundit në kishën e fshatit dhe më pas ai është përcjellë drejt banesës së fundit, në varrezat e fshatit.
Të enjten në mbrëmje kanë dalë rezultatet e autopsisë së trupit të Aleks Kekës. Ekspertët shpjegojnë se kreu i PDK-së së Malësisë së Madhe ka gjetur vdekjen për shkak të shpërthimit të eksplozivit në makinën me të cilën udhëtonte. Grupi hetimor ka mbledhur të gjitha provat nga vendi i ngjarjes, ndërsa duke u nisur nga dëmtimet e shkaktuara në trupin e Kekës dyshohet se eksplozivi është vendosur në pjesën e poshtme të sediljes së shoferit dhe aktivizimi është bërë përmes një telekomande në distancë. Vërtetohet se shpërthimi ka ndodhur gjatë kohës kur makina ka qenë në lëvizje, në aksin rrugor Koplik-Shkodër.

20 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›