Kurora e pavarësisë në kryet e Kosovës
Për disa nuk mjaftojnë as 120 ditë për të arritur në zgjidhjen e statusit të Kosovës, madje as 120 vjet. Por pavarësia mbetet në themel të çështjes dhe Kosova më shumë se kurrë është pranë indipedencës së saj të shumëpritur. Ritmet e bisedimeve mes palëve në thelb tregojnë se vetëm një vendim deçiziv do të ishte opsioni i fundit për këtë krizë me përmasa ndërkombëtare. Pala kosovare është vetëm për pavarësi, serbët dhe aleatët e tyre rus në antitezë të plotë me pavarësinë e Kosovës, ndërsa ndërkombëtarët janë në amulli. Është e pamundur që të ketë një ekuilibër, përderisa as ndarja nuk pranohet. Pra asnjë alternativë e ndërmjetme përveç njëkahshmërisë së interesave territoriale të dy palëve. Rusia ka kritikuar ashpër vendet e Perëndimit, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Evropën se po favorizojnë Kosovën në lidhje me pavarësinë e saj. Nënteksti ka qenë i kuptueshëm, pasi sipas Rusisë partnerët perëndimorë po përpiqen që çështjen e Kosovës ta zgjidhin me krijimin e precedentit, i cili del nga kornizat e së drejtës ndërkombëtare, duke u treguar jokonsekuent për zgjidhjen e problemit kosovar, në njërën anë, dhe krijimin e shtetit palestinez, në anën tjetër. Fill pas Rusisë, edhe aleati i saj më i ngushtë, Serbia, ka nisur sulmin frontal ndaj komunitetit ndërkombëtar, e në veçanti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke e ndjerë afrimin e datës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës, përfaqësuesit e diplomacisë serbe kanë theksuar se projekti nuk ka fare të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike të Kosovës apo me pajtimin midis serbëve e shqiptarëve, kur më së paku ka lidhje me të ardhmen evropiane të kësaj pjese të Evropës. Nag ana tjetër, qëndrimi i prerë i krerëve të Kosovës ka treguar qartë se nuk kanë pranuar asnjë kompromis tjetër përveç pavarësisë, duke paralajmëruar edhe braktisjen e negociatave. Në këtë situatë kaq të tensionuar, ndërkombëtarët kanë pohuar se të gjitha opsionet, madje edhe ndarja e Kosovës do të jetë e pranueshme për komunitetin ndërkombëtar nëse palët në bisedime bien dakord. Konfuzioni është kryefjala tjetër e ndërkombëtarëve kur pohojnë të kundërtën e pohimit të qëndrimit të mëparshëm, duke mos e përkrahur ndarjen e Kosovës. Opsionin e ndarjes nuk e pranon asesi edhe Serbia, sepse nëse do të bëhej një zgjidhje e tillë, Serbisë do i takonte një pjesë e vogël e Kosovës, përderisa manastiri i Decanit, Gracanicës dhe ai i Prizrenit do të mbeteshin nën kontrollin e shqiptarëve. Në një periudhë kaq të rëndësishme, reagimi i serbëve dhe rusëve për jo-në e pavarësisë së Kosovës po bëhet edhe më kulmues. Nuk janë të rastësishme as akuzat ndaj SHBA-së dhe vendeve europiane që përkrahin opsionin e pavarësisë. Sado që përpiqen që me kokëfortësinë e tyre ta zvarrisin afatin, përsëri boshtit nuk i ndahen, madje ka mbetur vetëm firma vendimtare që edhe nëse nuk nënshkruhet do të gjejë fjalën e fundit due deçizive të ndërkombëtarëe, për të cilët koha është “armiku” i vetëm. Pikërisht në aspektin kohor, qeveria serbe po punon për të kthyer çdo gjë në favor të saj due bashkë me Rusinë po ngrenë zërin që të kundërshtojnë fuqishëm indipendencën. Ditët po ikin dhe katër muaj janë thjesht një kohë simbolike që edhe në rastin më të keq do të kurorëzohen me vetëshpalljen e pavarësisë nga pala kosovare. Ky është opsioni fjalëkalues për të zgjidhur krizën, që edhe nëse vazhdon për ca kohë do të jetë si rezultat i inercisë konfliktuale dhe irritimit të palës serbe dhe ruse. Gjuha e përbashkët është e pamundur, kompromisi çështje e mbyllur, ndërsa suksesi i negociatave për një zgjidhje unanime, hipotezë pa asnjë fakt mbështetës. Në këto rrethana është e qartë që zvarritja e mëtejshme do të ishte mbështetje e anarkisë mes shteteve due krejt rajonit, gjë që palës ndërkombëtare nuk i intereson, pasi do të thoshte krizë pa fund dhe dështim i gjithë përpjekjes shumëvjeçare për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Era e vendimmarrjes është në prag, ndërsa kosovarët duhet të përgatiten që më shumë se sa ta festojnë, të mbrojnë me vendosmëri pavarësinë.