E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sfidat e Topit president

Bamir Topi, Presidenti i sapozgjedhur i Shqipërisë, mund të përballet me më shumë detyra se ç'përmban në të vërtetë puna e tij e re. Biologu 50-vjeçar është kreu i parë i shtetit republikan, i cili nuk ka qenë kurrë anëtar i Partisë Komuniste. Ai është gjithashtu një prej politikanëve të paktë shqiptarë që nuk janë prekur seriozisht nga skandalet. Presidenti nuk ka pushtet ekzekutiv, por ka të drejtën e fjalës në emërimin e zyrtarëve të lartë të gjyqësorit dhe është gjithashtu kreu i forcave të armatosura. Topi, nënkryetar i Partisë Demokratike qeverisëse, të drejtuar nga Sali Berisha, aktualisht Kryeministër i vendit, ka reputacionin e një politikani të moderuar. A mund të përmirësojë ai imazhin e Shqipërisë dhe të ndihmojë në qetësimin e "luftës së brendshme politike" në vend, që rrezikoi muajin e kaluar votimin për Presidentin e ri, gjë që do të sillte për pasojë zgjedhjet e parakohshme?
U deshën katër raunde votimesh që Topi të siguronte tre të pestat e numrit të përgjithshëm të votave që i duheshin për të fituar Presidencën. Votimi i fundit u bë pas disa ditë manovrash në prapaskenë mes Berishës dhe Fatos Nanos, paraardhësit të tij socialist.
Shpresat e Nanos për t'u bërë President u shuan, kur ai nuk arriti të siguronte mbështetjen e pasardhësit të tij në krye të Partisë Socialiste, Edi Rama. Konflikti mes Berishës dhe Nanos, të dy njerëz të spikatur në regjimin e Enver Hoxhës, është një prej arsyeve që Shqipëria vuan nga papunësia e lartë dhe mungesa e investimeve.

Emigrantët shqiptarët që punojnë në Europën Perëndimore dhe Amerikë dërgojnë në vend 1 miliard dollarë të ardhura në vit. Pjesa më e madhe e tyre shkon për ndërtimin e shtëpive dhe përmirësimin e jetesës për familjet e papuna. Shumë shqiptarë kanë dyshime për ngritjen e bizneseve në shtëpi, ku licencat jepen nëpërmjet miqve politikë, kompanitë ekzistuese përdorin shantazhet kundër rivalëve të rinj dhe gjyqësori është i korruptuar.

Detyra e parë e rëndësishme e Topit do të jetë emërimi i një kryeprokurori të ri për të zëvendësuar Theodhori Sollakun, i cili është akuzuar për lidhje me krimin. Sollaku, i cili është emëruar nga socialistët në vitin 2002, e ka hedhur poshtë këtë, ndërsa mandati i tij nuk ka afat mbarimi. Por Topi pritet të nxisë një ndryshim të Kushtetutës për të përcaktuar një afat të tillë. Ai do ta paraqesë këtë si një nga reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, një synim që Shqipëria shpreson ta përmbushë në samitin e aleancës vitin e ardhshëm, në Rumani. Edhe pse në mungesë të një shansi, qoftë edhe të largët, për anëtarësim të shpejtë në BE, Shqipëria mezi pret t'i bashkëngjitet bllokut të vendeve perëndimore.

Berisha shpreson të tërheqë investimet e huaja nëpërmjet strategjisë "Shqipëria një euro", që ofron akses për kompanitë e huaja në vend me pagesë minimale. Por shumë pak investues mund të vijnë këtu, për sa kohë që do të vazhdojnë kufizimet e energjisë elektrike. Në Tiranë, këtë verë, energjia ka pasur kufizime deri në gjashtë orë në ditë; në zonat rurale, ndërprerjet arrijnë në 20 orë. Kanë mbetur në harresë planet e investuesve privatë për të ndërtuar impiante të reja energjetike. Ndërprerja e vazhdueshme e energjisë është një nga shkaqet e rënies së popullaritetit të qeverisë dhe rigjallërimit të shanseve të socialistëve. Nga ana tjetër, ekonomia po rritet me 6 për qind në vit. Çmimi i tokës po rritet, veçanërisht në bregdet, ndërsa të huajt po blejnë truall për zhvillimin e ardhshëm. Nëse e ardhmja e Kosovës do të përcaktohet në mënyrë të kënaqshme në fund të vitit, perspektiva e Shqipërisë do të jetë më e ndritur.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›