E Hënë, 2 Nëntor 2026

Mungon ideja për zgjidhjen e statusit

Grupi i Kontaktit për shkak të kundërshtimit të Rusisë nuk ka arritur që të bëjë formalisht përkufizimin prej 120 ditësh për negociata ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, sepse Rusia ka kërkuar që të mos ketë kufizime kohore fare. Mirëpo, zyrtarët në Bashkimin Evropian dhe në NATO thonë se pritet që pak a shumë negociatat shtesë të zgjasin rreth 120 ditë, që në një mënyrë nëse ato fillojnë në muajin gusht siç paralajmëron BE-ja, atëherë në dhjetor do të mund të përfundonin (mesi i dhjetori). Në këtë moment askush nuk është në gjendje të parashikojë çfarë do të ndodhë pasi të raportohet tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Nëse këto negociata shtesë nuk do të nxjerrin ndonjë rezultat, atëherë edhe Rusia do të duhej të rishikojë pozicionin e saj dhe të mos këmbëngulë në kundërshtimin e implementimit të Planit të Ahtisaarit. Sidoqoftë në këtë moment zyrtarët në BE dhe NATO pohojnë se nuk duhet prejudikuar se cili do të jetë rezultati dhe duhet nisur procesin shtesë me besim dhe vullnet të mirë nga ana e të dyja palëve, të cilat nëse angazhohen në mënyrë konstruktive, mund të arrijnë ndoshta edhe tek kompromisi, megjithëse pak kush beson se mund të ketë kompromis ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në këtë moment rreth statusit.

Përveç planit të Marti Ahtisaarit, momentalisht në Bashkimin Evropian nuk ka ndonjë ide të qartë për zgjidhjen e statusit të Kosovës.Në Bruksel, BE është në pritje që sa më shpejtë të fillojnë bisedimet Prishtinë Beograd dhe pastaj të ndërmerren hapa konkret. Për shkak të kësaj, nuk janë marrë në konsideratë opsionet për konfederatë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndarje të Kosovës, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë ose suverenitetin e ndarë ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Serbisë mbi Kosovën për një periudhë të caktuar kohore, si dhe e drejta e zhvillimit të referendumit për shpallje të njëanshme të pavarësisë.

Fillimisht në Bruksel pritet takimi i parë ndërmjet përfaqësuesve të SHBA-ve, BE-së dhe Rusisë - treshes së Grupit të Kontaktit, me qëllim që sa më parë të nxisin dialogun Prishtinë – Beograd.

BE mbështetet parimin që gjatë bisedimeve ndërmjet Kosovës me Serbinë liderët e tyre duhet të jenë shumë konkret dhe të mos parashtrojnë kushte paraprakisht, ndërsa nga të dy palët pritet bashkëpunim dhe mirëkuptim në zgjidhjen e problemeve.

Vetëm pas 120 ditëve të bisedimeve do të shqyrtohet a është e domosdoshme shpallja e njëanshme dhe njohja e pavarësisë në bazë të Planit të Ahtisaarit.

Përkrahja e ndonjërës nga idetë e lartpërmendura, është përgatitje për ndonjë skenar të ngjashëm me Rambujenë, natyrisht pa presion mbi Serbinë.
Kjo do të nënkuptonte që shqiptarët do të heqin dorë nga shpallja e pavarësisë dhe që të japin shenja pozitive në disa lëshime në bisedimet me palën serbe, dhe tek pastaj të kërkohet nga Beogradi dhe Moska që të pranojnë kompromiset në bazë të të cilave ka mbetur koncepti i Ahtisaarit.

Nëse kjo nuk do të ketë sukses, mund të shkohet në një lloj arbitrazhi ndërkombëtar, një konferencë, me qëllim që për një kohë të caktuar të anashkalohet marrja e vendimit në KS të OKB-së, ku do të reagonin Rusia dhe Kina. Në këtë rast do të vinte deri te krijimi i të ashtuquajturës masë kritike të vendeve numri i të cilave do të ishte më i madh se sa që është tani dhe të cilat do të bashkoheshin atyre që tashmë janë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›