Kurr ma
Njizet e nji vjet ma parë, me 26 qershor 1987, hyni në fuqi "Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve të Tjera të Egra, Çnjerëzore dhe Degraduese..." Kjo fitore e madhe për të drejtat e njeriut, filloi më 1984 me Aneks-Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së (Sesioni 46,XXXIV-1984) 23 I.L.M.1027 (1984) dhe e modifikueme, 24 I.L.M. 535 (1985). Aneks-Rezoluta u adoptue pa votim, nga A.eP. e OKB-së më 10 dhjetor 1984, u hap për nënshkrim më 4 shkurt 1985, dhe hyni në fuqi më 26 qershor 1987.
Nga anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme, 29 shtete anëtare banë deklarata dhe rezervime për nenin 21(që parashikon të drejtën e cilitdo anëtar me raportue se në nji shtet të caktuem nuk respektohet Konventa dhe me kerkue që OKB-ja të ndjekë procedurën e hetimit etj.) 28 shtete anëtare kanë paraqitë vrejtje në lidhje me nenin 22 (që parashikon që shtetet anëtare të njohin kompetencën e Komitetit (të OKB-së) me marrë dhe me shqyrtue komunikime me, ose në emën të individëve të atij vendi të cilët ankohen se kanë qenë viktima të shkeljes së Deklaratës së Konventës, nga shteti i tyne). Vendet ish-komuniste, si dhe ish-RPS e Shqipërisë nuk kanë pranue këtë Konventë dhe për arsye që dihen nga të gjithë!
Përcaktimi i termit "torturë" jepet nga kapitulli I: "Për qëllimet e kësaj Konvente, termi "torturë" përcakton çdo akt të kryem me qëllim, e që shkakton dhimbje ose vuejtje të forta, fizike ose mendore, kundër nji personi, e që synon nxjerrjen nga ai person, ose nji person i tretë, informata ose rrfime që rezultojnë në dënimin e tij/saj për nji akt që ai/ajo, ose nji person i tretë ka krye ose dyshohet të ketë krye, ose frikësim e detyrim me forcë të personit ose të nji personit të tretë, ose që për çfardo arsyeje qoftë (e përdorun) si formë diskriminimi të çdo lloji, e çdo herë kur nji dhimbje ose vuejtje e këtillë shkaktohet, nxitet, ose lejohet nga nji zyrtar, ose nji person që vepron si zyrtar..." (Neni 1).
“Konventa kundër Torturës” ashtë pjesë përbase e kapitullit mbi "Të Drejtat e Njeriut" si nji marrëveshje që i bashkëngjitet korpusit të së Drejtës Ndërkombëtare.
*
Nji recension nga Richard Eger i librit “Notebooks” (1951-1958) të shkrimtarit francez Albert Camus dhe i botuem në “The New York Times” më 28 qershor 2008, më tërhoqi vrejtjen dhe më kredhi në kujtimet e atyne viteve, të kalueme në burgjet e errëta të ish-Shqipërisë komuniste (1946-56).
Albert Camus, njeni nga shkrimtaret ma të njohun francezë të viteve mbas Luftës së Dytë Botërore, ashtë çmue si njohës i mirë i frymës intelektuale evropiane, sidomos frankofone, dhe si "transmetues" efektiv i ndjenjës se dëshprimit dhe amullisë shpirtënore të përgjithshme që mbuloi Evropën e mbas-luftës. Kasaphana e viteve 1939-1945 dhe zbulimi i tmerreve fashiste, kryesisht i kampeve naziste të shfarosjes në masë, shkatërruen shpresat e milionave për nji jetë të re e ma kuptimplote. Kudo, dhe kushdo që mendonte seriozisht mbi këtë fenomen "asgjasues" humbi drejtimin, e përfundoi në nji lloj nihilizmi shterpë që siellte vetëm dekurajim...e perfundonte shpesh në vetëvrasje. (Primo Levi ashtë nji shembull i dalluem). Për ata që mendojshin ishte e pamundun me justifikue Auschwitz-in, me pranue që Evropa e qytetnueme kishte zbritë aq poshtë me furrat krematore dhe të kishte "guxim" përsëri me shpresue në nji rimëkambje, ndoshta edhe në "ringjallje" deri në atë pikë sa të justifikojë jetën përsëri në shoqënitë e trondituna. Për ma tepër, Camus kishte dëshmue edhe masakrat e Algjerisë...!
Në Francë, simboli i "ekzistencializmit", J. P. Sartre, nga nji antifashist u ba përkrahës i ngurrët i "komunizmit stalinian". Sartre mbronte "nevojën absolute të revolucionit" qoftë edhe të modelit stalinian, si mjet me arritë nji "ideal" të ri. Nji rrugë e këtillë në emën të "idealit" e pruni atë në përfundimin se "dhuna dhe tirania staliniane" justifikohen si mjete me arritë "shoqëninë ideale". Represioni i hapët, shtypja e pamëshirë, sado e mbrapshtë që na duket, paraqitet si nji "imperativ" në luftën tonë kundër "tiranisë së kapitalizmit kolonialist", - shkruente Sartre. Natyrisht, J. P. Sartre bante jetën e qetë të profesorit në shkollat franceze.
A. Camus iu kundervue kësaj rryme arrogante që kishte humbë kontaktin me botën "tjetër". Atë që vuente nën thundrën e tiranisë së kuqe. Të mashtruem nga "ofensivat e paqes" staliniane, mendje të ndrituna, e të gabueme, ofruen edhe shërbimet e tyne planeve djallëzore sovjetike. Në Britaninë e Madhe shumë intelektuale u banë "agjentë sovjetikë" tue sjellë dame të mëdha (Njeni nga këta agjentë ka qenë edhe Kim Philby, që tradhtoi rezistencën antikomuniste shqiptare).
A. Camus sulmoi këto grupe që shijojshin "nënshtrimin si nji formë virtyti". Ai edhe tallet me ta, tue përdorë anekdotën e nji vajze të re që i thotë babës: "Baba, unë do të bahem anëtare e partisë ma të egër që ekziston". Kur e pyeti i ati perse, ajo përgjegji: "Në qoftë se na fitojmë, jemi të shpëtuem; në qoftë se fitojnë të tjerët, ata nuk janë aq të egër sa ne dhe nuk na bajnë ndonji të keqe."
Kjo anekdotë, me kujtoj nji bisedë me bashkëvuejtsit e mij vlonjatë në kampin e Fushë-Maliqit,Korçë. Ata kishin folë me nji të quejtun Ethem Cako, parashutisti i parë që u hodh në Shqipëni si diversionist, u kap i gjalle nga Sigurimi, dhe u dënue me burg të përjetshëm. Njëkohësisht, filloi të flasë shumë kundër Ballit Kombëtar e të ndjerit Hasan Dosti. I pyetun nëse kishte frikë se kur të këthehet Hasan Dosti do të dënohej, ai përgjegji: "Le të vijë Hasan Dosti. Unë frikësohem nga të kuqët që të vrasin si nji qen, por Hasan Dosti nuk vret njeri...as mua!" Cako kishte pa të dy botët dhe përkulej para asaj që vriste, e fliste kundër botës që e kuptonte se nuk ashtë vrasëse. Paturpësia e mediokritetit nuk njeh kufij!
*
Në nji report "Broken Laws, Broken Lives" të botuem nga organizata nobeliste "Mjekët për të Drejtat e Njeriut", përshkruhen me hollësi aspektet e tmerrshme të torturës në praktikë, dhe pse tortura ashtë themeli i "së Keqes së Madhe" (Evil), krejtësisht në kundërshtim me çdo gja njerëzore.
Ka nji ndryshim të madh në mes të konceptit abstrakt të torturës, dhe praktikës së saj nga regjime tiranike në kurriz të personave, për definicion pa mbrojtje. "Për shumë amerikanë, - shkruente Bob Herbert në “The New York Times” më 28 qershor, tortura ashtë diçka e largët, abstrakte, e përbuzshme, por që në sytë e disa individëve, ndoshta edhe e nevojshme. Ky ka qenë edhe qëndrimi i shumë "bashkudhëtarëve" (compagnons de route) të tipit J. P. Sartre: "Ideali" justifikon gjithçka! E tmerrshme! E pabesueshme!
Me torturue nji individ, me shkatërrue me trup, me mend e me shpirt nji qytetar të lirë, me poshtënue nji kundërshtar mendimi deri në pikën sa dëshirohet edhe vdekja, e gjithë kjo në emen të "idealit' ashtë nji mashtrim, nji vetëmashtrim, që kalon kufijt e perceptimit për nji qenie njerëzore normale. "Tortura, - shkruente Herbert - nuk ashtë thjeshtësisht nji teknikë hetuesie; ajo ashtë thellësisht nji sulm kriminal kundër nji qenie njerëzore". Aq ma tepër kur eksperienca e milionave tregon se "tortura nuk zbulon të vërtetën, por inkurajon gënjeshtrën e shpifjen" dy anët e flliqta të regjimeve totalitare. Për plotësimin e kuadrit të mbrapsht të torturës, mobilizohen masat e pa mend e pa za ndërgjegje, dhe frikacakët që kuptojnë, por sjellin kokën në anën tjetër me evitue konfrontimin me të keqen, e të vërtetën e dhimbshme.
Viktimat e torturës nuk kthehen përsëri në jetën e tyne normale; ata janë të sakatueme! Dinjiteti i tyne pëson nji goditje të randë e të pareparueshme. Trupi i tyne ruen akoma plagët që kullojnë gjak, ose gjurmët e tyne me të cilën viktima ballafaqohet çdo ditë, çdo herë që i kujtohet dhe i rikujtohet, në çastet e vetmisë që shkëputet nga jeta e përditshme, "normale". Me kupat e gjunjëve të hapun me gozhda, me kockat e krahëve e kambëve të thyeme me çekan, me sytë e djegun me cigare, me misht e premë me thikë e të fërkuem me kripë, me kurrizin e dërmuem me dru të pagedhenun për orë të gjata, të varun për pemë gjithë natën nen shi e dëbore, dhe në hekurat e dritoreve të qelisë së errët e të qelbun, me organet gjenitale të shtypuna me kambë ose të coptueme me dru "që të mos lindin përsëri fëmij reaksionarësh". Me javë të tana pa gjumë, pa bukë, pa ujë, pa të drejtë me shkue në nevojtore, nën qeshjen tallëse e idiotë të rojeve të kuqe që "zbatojnë urdhrin nga lart" e në izolim të plotë, pushteti komunist në Shqipëri zbatonte "diktaturën e proletariatit' në emën të "idealit komunist" që ndërtonte "botën e re pa shtypje dhe të shtypur", botën ku do të kishte "plotësim të çdo ëndrre dhe dëshire...!" Bllah, bllah, bllah!
Sot, si poshtënimi ma i fundit, viktima e terrorit komunist në Shqipëri, përballet me dy nemesis të fuqishëm: harresën, nga ata që nuk duen të dijnë për këto "vështirësira", dhe mohimin nga kriminelët dhe xhelatët e kuq që nuk kanë guximin me pranue botënisht frymën që i ka mbushë dhe aktin kriminal që kanë zbatue në kurrizin e viktimës së pafajshme.
Por unë, viktima e pafajshme, nuk do të hesht dhe do të vazhdoj denoncimin e torturës pa hezitim, pa kondita, pa rezerva, si nji detyrim moral absolut, si imperativ kategorik, si nji justifikim i "mbijetesës" sime. Çdo gja ma pak, do të me bante ma pak "njeri"!
Torturë? Kurr ma, kurr ma!