E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi industrial drejt krijimit të tregut rajonal

Konfindustria mbylli Panairin e Elitës së Industrive Shqiptare mbajtur në Tiranë nga datat 26-28 qershor. Panairi ishte pjesë e nismës së ndërmarrë nga konfindustria për krijimin e Tregut të Hapur Mbarëshqiptar dhe Rajonal. Për herë të parë u përfaqësua e plotë industria e rëndë shqiptare në një tregues të qartë të forcës dhe investimeve të kryera deri më tash në industritë vendore dhe njëkohësisht si një thirrje drejtuar politikës vendimmarrëse shqiptare, që të mbrojë dhe nxisë investimet industriale. Ishin mbi 60 kompani industriale të përzgjedhura nga hapësirat shqiptare të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë dhe rajonit si dhe koncesionarë strategjikë të huaj, përfaqësues të sektorëve më të rëndësishëm të ekonomisë në vend dhe rajon. Shënojmë se mbulimi mediatik ishte i një niveli mjaft të lartë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Panairi ishte i pari në hapësirat shqiptare për veçoritë e tij si vendtakim i biznesit me biznesin, industrive me politikë vendimmarrëse. Veçori tjetër e panairit ishte se u pranuan vetëm prodhime fundore të industrive shqiptare dhe asnjë prodhim fundor i huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›