Në shtator vendoset për Bashën

TIRANË - Hetimi mbi abuzimet e dyshuara në rrugën Durrës-Kukës, çështje e cila për më shumë se një vit ngjalli debate të ashpra jo vetëm në qarqet e politikës, pritet të marrë zgjidhje pas një muaji. Shtatori është përcaktuar nga grupi hetimor, si muaji kur do të vendosen pikat mbi “i” për një sërë çështjesh që vazhdojnë të jenë ende të hapura brenda superdosjes, përfshi edhe pozicionin e ish-ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Lulzim Basha. Për zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje grupi hetimor “është zhytur” në punë, duke harruar edhe pushimet e kësaj vere. Burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme thanë për “Korrierin”, se arsyeja e zgjatjes së hetimit për këtë çështje në një periudhë kohore prej gati një vit e gjysmë, nuk është vetëm kompleksiteti, por edhe ekspertiza e detajuar nga ekspertë kontabël dhe specialistë, të cilët pritet të japin një rezultat paraprak, por jo përfundimtar gjatë muajit të ardhshëm. Shkak për këtë rezultat “gjysmak” sipas prokurorisë, është bërë mospërfshirja e një sërë shpenzimeve në koston përfundimtare të rrugës Durrës-Kukës.
Pengesat
Nga të dhënat paraprake të ekspertëve që po verifikojnë me detaje gjithë procedurat e ndjekura dhe zbatimin e investimeve në terren, rezulton se kostoja aktuale e rrugës Durrës-Kukës kap vlerën e 650 milionë eurove, pa llogaritur investimet që do të kryhen për disa pjesë të rëndësishme. Burime pranë prokurorisë thonë se ekspertët kanë parashikuar që kostoja e përgjithshme e kësaj rruge të shkojë në rreth 900 milionë euro. Aktualisht, ekspertët kanë verifikuar punimet e kryera në gjithë aksin rrugor, përjashto tunelin në segmentin Rrëshen-Kalimash, kompensimet e banorëve për pronat e prekura nga ndërtimi i rrugës, si dhe shpenzimet për firmën që po harton projektin. Këto shpenzime sipas ekspertëve pritet të shtojnë koston e rrugës Durrës-Kukës me 250 milionë euro të tjera, duke e çuar shifrën totale në 900 milionë euro. Krahas përllogaritjes së saktë të vlerës totale të rrugës, ekspertët po verifikojnë me imtësi mënyrën sesi janë investuar këto para.
Pozicioni i Bashës
Sipas prokurorisë, do të jetë ekspertiza ajo që do të përcaktojë pozicionin përfundimtar të ish-ministrit të Transporteve brenda dosjes Durrës-Kukës. Nëse nga procesi i detajuar i verifikimit do të evidentohen shkelje, grupi hetimor konfirmon faktin se gjithsecilit nga personat e hetuar për këtë çështje do t’i atribuohet përgjegjësia që realisht ka. Nga grupi i zyrtarëve nën hetim nuk bën përjashtim as ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, i cili edhe pse ka rreth muaj pa imunitet, është thirrur vetëm një herë në prokurori për të dhënë shpjegime rreth çështjes. Sipas prokurorisë, bëhet me dije se shtatori është muaji kur do të sqarohet pozicioni i zyrtarëve, që dyshohet se kanë abuzuar financiarisht në rrugën Durrës-Kukës.
Basha, i vetmi zyrtar pa akuzë
Mes katër zyrtarëve të hetuar për abuzime me fondet publike, ish-ministri i Transporteve, Lulzim Basha, është i vetmi zyrtar mbi të cilin prokuroria ende nuk ka ngritur një akuzë zyrtare. E ndërsa ish-zëvendësministri i Transporteve, Armand Teliti, ish-drejtoresha e Përgjithshme e Rrugëve në vitet 2005-2006, Lajla Saraçi dhe kreu i Sektorit Juridik, Andi Toma janë marrë të pandehur nga prokuroria, për ish-ministrin e Transporteve organi i akuzës nuk është shprehur ende, edhe pse Basha është pa imunitet prej më shumë se 9 muajsh.
Të dhënat teknike zyrtare për Durrës-Kukës
Vendndodhja: Shqipëri
Klienti: Qeveria Shqiptare
Kontraktori: “Bechtel & Enka”
Fusha e Shërbimit: Menaxhim ndërtimesh
Kohëzgjatja: 2006 - 2009
Kostoja totale e ndërtimit: rreth - 450 milionë euro
Tipi: 4 korsi, autostradë
Shpejtësia: 80-100 km/orë
Ura: 27 copë në total
Gjatësia totale e rrugës - 170 km
Rruge e re për t’u ndërtuar - 111 km