Kurs pasuniversitar për drejtor spitali
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, për të disatën herë ka përsëritur togfjalëshin se "spitalet tona janë keqmenaxhuar". Akuza të ashpra këto për paraardhësin Nard Ndoka. Për të zgjidhur këtë problem, ajo ka deklaruar "çeljen e specializimeve pasuniversitare për menaxhim. Deri tani mjekët specializohen për llojet e sëmundshmërisë, por tani do të ketë edhe mjekë të posaçëm për drejtim. Ata duhet të ndjekin kursin special që premtoi ministrja, se do të çelet së shpejti. Deklarata u bë dje gjatë një takimi që ajo kishte në Tiranë me drejtorët e spitaleve të të gjithë vendit. Një seminar treditor për menaxhimin ishte qëllimi i takimit të djeshëm. Që prej marrjes së detyrës në krye të Shëndetësisë, ministrja republikane ka vënë në dukje problemet me të cilat është ndeshur, si mungesa e barnave, si pasojë e mosrealizimit të tenderave dhe numrin e madh të të punësuarve në administratat spitalore. Ajo ka premtuar rregullimin e këtyre defekteve.