E Diel, 1 Nëntor 2026

Politika e re kerkon "koke" te re

Vizioni i liderit të partisë më të madhe të opozitës, që mund të jetë edhe Kryeministër i ardhshëm, është shumë i rëndësishëm për të mos u shqyrtuar me vëmendjen më të madhe. Aq më shumë kur pak ditë më parë, Edi Rama doli nga një lakonizëm i sforcuar për të shpjeguar, për të parën herë që nga 21 prilli, diçka më shumë mbi atë se çfarë synon ndryshimi i beftë i Kushtetutës i realizuar atë natë. Dhe ç‘rezulton? Duhet të jemi të duruar me citimet e një politikani për të kuptuar atë lëmsh kundërthëniesh, dogmash dhe kontradiktash që ngërthejnë nga të gjitha anët tiradën e tij ku nuk mungonin, të shprehura thuajse troç, parime (që vetëm të një mendësie të re nuk mund të jenë) të vënies së interesit të përgjithshëm mbi atë personal, pikëpamje që interesin partiak (natyrisht të kundërshtarit) e sheh si një interes i ngushtë dhe sipas së cilës, vetëm partia që drejton sot Rama shpallet parti për popullin dhe se, gati sa nuk thuhet "shqip", kundërshtarët politikë janë armiq të popullit. "Parime" dhe këndvështrime që kanë qenë tipike për partinë e Enverit dhe që më pas, i kemi kritikuar edhe te partia e Berishës. Dhe trembesh kur sheh të gëlojnë vjetërsira të tilla në kokën e "politikës së re". Sepse vërtet vendi ka nevojë për një politikë të re. Por ajo nuk mund të bëhet me parime të vjetra, me "koka" të vjetra. Edhe pse në moshë të re.

***

Lidhur me ndryshimin e beftë, pa transparencë të Kushtetutës dhe në dakordësi të pangjarë me autoritaristin Berisha, Rama tha: "Ne kemi pasur një proces, ka qenë një proces i zhvilluar në komisionin përkatës të Parlamentit dhe një proces në të cilin kemi gjetur konsensus lidhur me një sërë çështjesh që janë në thelb çështje që u interesojnë forcave të mëdha politike në funksion të qeverisjes". Si është e mundur një gjë e tillë pa i bërë lëshime autoritarizmit? Sepse a mund të vihet në dyshim, pas 18 vjet përvojash tragjike, se çdo hap politik i Berishës, çdo sulm apo tërheqje, çdo konsensus, frymëzohet nga "ideologjia" e sundimit? Pastaj, përse një konsensus që intereson "vetëm forcat e mëdha"? Mos vallë Rama i ka fshirë që tani nga skena politike partitë e vogla? Ndërkaq shihet qartë se Berisha i ka sugjeruar ndryshimet e Kushtetutës jo vetëm për nesër, por në radhë të parë për sot "në funksion të qeverisjes" së tij. Rama duket e kupton që kjo dhuratë për Kryeministrin nuk i ka hije "politikës së re", ndaj pak më poshtë në intervistë thotë: "...e them me përgjegjësi të plotë, që ato ndryshime nuk kanë të bëjnë fare as me qeverinë dhe as me qeverisjen aktuale". Kontradikta me pohimin fillestar të tij për konsensusin e arritur lidhur me çështje që "u interesojnë forcave të mëdha politike në funksion të qeverisjes" është evidente.

***

Rama tha se ndryshimet në Kushtetutë janë bërë: "në funksion të një sistemi politik, i cili duhet të ndryshojë në mënyrë që të mos kemi më situata… kur një Kryeministër detyrohej të qëndronte në sallë dhe nuk votonte dot ministrat e tij, kur një Kryeministër tjetër nuk arrinte dot të votonte ministrat dhe qeveriste me zëvendësministra, kur kryeministrat kanë qenë vijimësisht të detyruar t‘u nënshtrohen shantazheve të grupimeve të vogla, shpeshherë të krijuara dhe brenda përbrenda Parlamentit për të marrë poste qeveritare, kur qeveritë e këtij vendi, edhe kjo që kemi sot edhe gjithë ditën, kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten sot e gjithë ditën qeveri që qeverisin interesat e partive dhe të grupeve përfaqësuese për pushtet dhe jo qeveri që qeverisin vendin në interes të shqiptarëve dhe shqiptareve". Rama duket nuk kupton se gjithë kjo orgji politike i ka rrënjët jo te një "Kushtetutë e keqe", por te korruptimi i deputetëve që nxitet edhe nga mungesa e drejtësisë. Shantazhet që përmend Rama janë mjete të një politike të korruptuar dhe të një korrupsioni qeverisës, që prej vitesh nuk po ndëshkohet nga prokuroria e drejtësia dhe nuk ka të bëjë me mekanizmin politik.

Nëse një drejtësi e pavarur do të kish dërguar në qeli ca deputetë, ministra apo kryeministra të korruptuar që kërkojnë poste për të vjedhur, nëse postet e larta nuk do të qenë biznese pasurimi të shpejtë, por sfida dhe sakrificë për të mirën publike, Kuvendi nuk do të qe shndërruar në një pazar apo bursë për shitblerje votash dhe kolltukësh. Rama ka zgjedhur shtegun e gabuar, shtegun autoritarist për zgjidhjen e problemit. Sepse, të "reformosh sistemin", Kushtetutën në mënyrë që një grupazh (term që na kujton plenumet) të mos ketë mundësi t‘i bëjë presion për qëllime të këqija Kryeministrit, do të thotë po ashtu, që një tjetër "grupazh" të mos i bëjë dot presion Kryeministrit as edhe për qëllime të mira. Kjo na tremb. Sepse shkon kundër lirisë. Natyrisht reforma e Ramës do të qe e garantuar në mirësinë e saj, nëse këtej e tutje (përfshirë dhe ditët që i kanë mbetur Berishës nga ky mandat) ne do të kishim përherë një Kryeministër të mirë dhe të këqij do të ishin vetëm disa grupazhe deputetësh.

A mund të shpresohet një e tillë gjë? A nuk shihet se edhe nëse qëllimmirë, me këtë reformë Rama ka ndihur autoritaristin Berisha të flakë nga govata e Kuvendit bashkë me ujin e qelbur të pazareve, edhe lirinë për t‘i thënë jo Kryeministrit, apo për ta shkarkuar atë? A nuk shihet qartë se edhe po të ketë pasur si synim të bëjë mirë, ka bërë keq? Ka ecur kundër lirisë së gjërave. Prandaj Berisha, besnik i "ideologjisë" së tij të sundimit, ra dakord me ndryshimin e Kushtetutës. Rama që thotë se ka për ambicie një politikë të re, duhet të kuptojë se abuzimi me lirinë luftohet vetëm me liri dhe jo duke pakësuar lirinë. Abuzimi me lirinë nuk luftohet me një dorë të fortë, me një Kryeministër të gjithëpushtetshëm. Sepse edhe në qoftë i mirë gjithëpushteti (pushteti absolut) do ta korruptojë. Ndaj abuzimi me lirinë luftohet vetëm me drejtësi, që është forma juridike e lirisë.

***

Debati për Kushtetutën, tha Edi Rama, është: "Një debat i ushqyer vetëm për interesa dhe ambicie personale dhe grupesh që, thashë edhe një herë tjetër, përbëjnë pakica të pakënaqura me këto masa që janë marrë për reformimin e sistemit politik". Nuk kërkon fare koment arroganca dhe papërgjegjshmëria për të reformuar sistemin politik brenda 10 ditësh sa zgjatën negociatat PD-PS për amendamentet. Por në tiradën e Ramës, ribotohet edhe përralla komuniste e armikut të klasës, që për interesa dhe ambicie personale, është i pakënaqur me "revolucionarizimin e vendit, sistemit" nga partia dhe lideri. Të mos zgjatemi lidhur me faktin se ndryshimet e Kushtetutës janë kundërshtuar jo vetëm nga Meta apo Ceka, por edhe nga shumë figura të politikës dhe kulturës të shquara edhe për devocion social (Agolli, Moisiu, Mejdani), segmente të shoqërisë civile si "Mjaft", apo të përndjekurit politikë.

Megjithatë, ç‘është kjo neveri për "pakicat e pakënaqura"? A nuk është mospërfillja e sentimenteve të pakicave thelbi i arrogancës bolshevike dhe e kundërta, përfillja e tyre, thelbi i demokracisë liberale? Më tej, nëse vërtet ata që kundërshtojnë ndryshimet e Kushtetutës janë në pakicë, përse Rama lufton me të gjitha forcat, në bashkëpunim me Berishën, për të penguar referendumin? Nga që ndihet në shumicë? Dhe më në fund, kush paska thënë se interesat dhe ambiciet personale qenkan të dëmshme dhe duhen braktisur? A nuk është kjo gjuha e vjetër e bolshevizmit që e gjen "të drejtën" vetëm te shumica dhe te sakrifikimi i interesave personale për "interesin e përgjithshëm", që rezultonte në fakt interesi i liderit? A nuk ka qenë kjo gjuha "e re", "demokratike" e berishizmit?

Një politikë e re kërkon të fshihet nga mendjet tona klasifikimi i vjetër, bolshevik i interesave. Interesat, të ngushta apo të gjera qofshin, duhen gjykuar sipas legjitimitetit të tyre, pra nga përputhshmëria me të drejtën dhe ligjin e drejtë. Dhe krejt në kundërshtim me atë që pretendon Rama, vendi do të bëjë një hap gjigant emancipimi politik, nëse gjithnjë e më shumë individët do t‘i lidhin interesat dhe ambiciet e tyre personale me Kushtetutën, me debatin për ndryshimin, apo mosndryshimin e saj. Edhe i gabuar të ishte qëndrimi i mbrojtësve të Kushtetutës (në fakt nuk është), vetëm hapi që ndërmorën ata përbën në vetvete një risi që nuk duhet të linçohet me një gjuhë të vjetër dhe demagogjike nga një lider si Rama, që pretendon të jetë në anën e lirisë së opinioneve. Ndërkaq nuk ka emancipim më të madh për shoqërinë, nëse njerëzit kuptojnë se çdo prekje e Kushtetutës, do të ketë pasoja në interesat dhe ambiciet personale, në jetët e tyre. I vetmi avantazh politik që Rama dhe Berisha gëzojnë lidhur me ndryshimet e Kushtetutës, është fakti se jo shumë shqiptarë e kuptojnë (ndonëse shumica nuk aprovojnë mungesën totale të transparencës) këtë lidhje mes Kushtetutës dhe cilësisë së jetës së tyre.

***

Lideri i PS-së pretendon se "ato ndryshime nuk i kanë bërë asnjë lloj koncesioni dhe nuk i kanë krijuar asnjë lloj komoditeti as Sali Berishës dhe as kësaj qeverie, sepse nuk mendoj që ka një shqiptar të vetëm…që të besojë se Sali Berisha ishte në prag të rrëzimit për shkak të bashibozukëve që ka në aleancën e tij të kalbur, të cilët jo tragjedia e Gërdecit, por edhe Shqipëria të kthehet përmbys, nuk e lëshonin karrigen pas së cilës janë kapur". Rama shton se "këto ndryshime janë rezultat i arsyetimit mbi ndryshimin që ne bëmë duke kaluar nga një sistem zgjedhor i dështuar që na ka krijuar kaq shumë probleme, në një sistem të ri zgjedhor. Të tjerat janë spekulime që synojnë të deformojnë thellësisht të vërtetën, duke kërkuar të rrisin ndjeshmërinë e opinionit publik, për arsye që nuk kanë të bëjnë fare as me Kushtetutën, as me ndryshimet kushtetuese dhe as me ç‘ka këto ndryshime kushtetuese do të sjellin në realitet, të cilat do t‘i shikojmë vetëm kur sistemi i ri zgjedhor të hyjë në fuqi, vetëm kur Parlamenti i ri i Shqipërisë të krijohet dhe vetëm kur të gjendemi në ato rrethana të parapara nga këto ndryshime kushtetuese". Mjerisht është e kundërta. Sepse të gjitha këto që Rama shpreh janë spekulime që synojnë të deformojnë thellësisht të vërtetën.

Duket se Rama "shikon" në ardhmëri vetëm fitoren në zgjedhje dhe ngjitjen e tij në postin e Kryeministrit. Dhe ndoshta vërtet ai beson me gjithë shpirt, se do të jetë një Kryeministër qëllimmirë që do mendojë vetëm për popullin. Rama ndoshta beson se edhe shumica e qeverisë së tij nuk do të përbëhet nga bashibozukë që do t‘i bëjnë presion Kryeministrit Rama për pazare interesash të ngushta. Por, në qoftë kështu, nuk mund të mos vërejmë që ky besim bie ndesh me masat që ai ka marrë, duke amenduar Kushtetutën, për t‘i paraprirë kërcënimit të bashibozukëve të nesërm. Dhe nuk duam në asnjë mënyrë të besojmë se një lider planëzon të vijë në pushtet me një listë deputetësh (aq më tepër që e cakton vetë) që udhëhiqen nga interesa të ngushta (të përdorim thelbin e terminologjisë së Ramës) kundërpopullore dhe që mund të ushtrojnë presione mbi Kryeministrin për pazare të ulëta. Por, a i kanë paraparë amendimet e Kushtetutës, sikundër thotë Rama, gjithë rrethanat ku ne mund të gjendemi? Ramës i duket që po, sepse ai beson se do të vijë patjetër në pushtet.

Veç ka njerëz të tjerë, që nuk e kanë virtytin e kësaj largpamësie të udhëhequr nga "interesa jo të ngushta", që u shkon mendja se pas 2009-ës mund të qëllojë që Berisha të mbetet në pushtet. Po edhe në mos qoftë Berisha mund të mos jetë një tjetër Kryeministër si Rama që mendon vetëm për popullin, por një "bashibozuk" që mendon vetëm për pushtet e fitime. Atëherë si do t‘ia bënim me Kryeministrin "e keq", të cilit, në sajë të amendimeve të Kushtetutës, nuk u bën dot as presion të keq (pazare) dhe as presion të mirë për gjëra që ai mund t‘i bëjë keq? Si do t‘ia bëjmë me një Berishë apo një bashibozuk, që në sajë të reformës së sistemit të bërë nga Rama, do të ketë në dorë sistemin? Kësaj Rama nuk i jep përgjigje dhe ky është një nga handikapët më të mëdhenj të operacionit që ai i bëri Kushtetutës duke asistuar kirurgun Berisha. Ndërkaq, nuk mund të mos vihet re që Rama përpiqet t‘i mbrojë me duar e këmbë (sepse argumente nuk ka) ndryshimet e Kushtetutës, sa të jep përshtypjen sikur është ai ideator i tyre dhe jo Berisha që i hodhi befas në tryezë me gojën e Trashanit. Kaq i madh të jetë konsensusi, sa pushteti të flasë me gjuhën e opozitës dhe opozita me gjuhën e pushtetit? Po të jetë kështu, pas kësaj harmonie mes shumicave dërrmuese, ç‘na duhet pluralizmi, rreziku i pazareve dhe destabilitetit që e bashkëshoqërojnë, si dhe ca ngatërrestarë të vegjël?



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›