E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen dy parqe industriale

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës nënshkroi dje dy kontrata me shoqëritë e shpallura fituese në procedurën e garës për dhënien e statusit të zhvilluesit të zonave ekonomike, me statusin e parkut industrial në Vlorë dhe Shëngjin. Ndërkaq, mësohet se është miratuar fituesi i zhvillimit të një plani të ngjashëm, në Koplik, kontrata e të cilit do të nënshkruhet së shpejti. Vlera e investimit për të dyja parqet industriale parashikohet të jetë rreth 37 milionë euro, duke synuar zhvillimin e zonave të lira ekonomike. Duke i përjashtuar nga disa taksa, krijimi i tyre do të favorizojë biznesin për investime potenciale me teknologji të përparuar dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kështu, në parkun industrial të Vlorës me sipërfaqe 125 ha, investimi nga shoqëria fituese "IDEA Vlora" sh.a, do të jetë në shumën 20 milionë euro dhe ku pritet të krijohen vende pune për 18586 persona. Ndërsa në parkun industrial të Shëngjinit, me sipërfaqe 3.2 ha, investimi nga shoqëria tjetër fituese "ATX International Tirana" Sh.p.k do të jetë në rreth 17 milionë euro, duke synuar krijimin e rreth 3 mijë vendeve të lira pune. Në të dyja parqet do të ushtrohen aktivitete të karakterit: industri e lehtë dhe industri ushqimore. Më shumë shërbime parashikon të ofrojë parku industrial i Koplikut, pranë Shkodrës, ku me një vlerë investimi rreth 19 milionë euro do të punësohen rreth 16 mijë persona. Në këtë park do të ushtrojnë aktivitet privat sektorë si: prodhim agro-industrial, agro-mekanik, mekanika e lehtë, industri tekstile si dhe ofrimi i shërbimeve publike kryesisht banka, shoqëri sigurimesh, agjenci doganore, formim profesional etj. Në takimin e djeshëm mori pjesë dhe Kryeministri Berisha, i cili vlerësoi rolin e këtyre parqeve për zhvillimin e vendit, e duke premtuar më tej hapjen e tyre në disa qytete të tjera të vendit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›