I dënuari përjetë kërkon të shpëtojë vëllain

Rihapet hetimi për një krim të ndodhur në vitin 2001 në Shkodër. Një grup pune është ngritur në Shkodër, i përbërë me prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore, pas një kërkese që ka bërë një i dënuar me burgim të përjetshëm. Bëhet fjalë për tentativën e vrasjes së Albert Kolës, pikërisht më 3 korrik të vitit 2001, për të cilën janë dënuar vëllezërit Valmir dhe Gentjan Hoxha. Por, Valmir Hoxha, i cili është dënuar me burg të përjetshëm për një sërë vrasjesh, për të shpëtuar vëllain e ka marrë përsipër këtë krim, duke kërkuar medoemos rihetimin e çështjes. Për këtë ka hyrë në grevë urie në Burgun e Fushë-Krujës, ku vetëm pak ditë më parë ka pasur një takim me drejtues të lartë të Krimeve të Rënda. Në një bisedë telefonike ai ka treguar se vazhdon grevën, me qëllim që vëllai i tij të lirohet, pasi është i pafajshëm dhe që këtë atentat e kishte kryer vetëm.
Valmir Hoxha, aktualisht 35 vjeç, i arrestuar që në vitin 2003, në mes të muajit shkurt ka hyrë në grevë urie. Ai ndodhet në Burgun e Fushë-Krujës, ku vuan dënimin me burg të përjetshëm, pasi mbi të rëndojnë disa vrasje. Ai kishte deklaruar se nuk do dilte nga greva derisa të takonte drejtues të policisë, gjë që i është mundësuar pikërisht më 26 shkurt. Atë ditë ai ka pasur një takim me dy zyrtarë të lartë të policisë, një prej tyre drejtues i hetimit të Krimeve të Rënda. Gjatë bisedës ai ka shpjeguar se vëllai i tij, Gentjani, i dënuar me 21 vjet burg për plagosjen e Albert Kolës, ishte i pafajshëm. Duke dashur të lirojë vëllain, ai ka shpjeguar se atë vrasje e kishte kryer vetëm dhe vëllai i tij nuk ka qenë i pranishëm. Për këtë ka dhënë edhe pretendimet e veta, duke i bindur drejtuesit e policisë që ta rishikonin këtë çështje. Në këto kushte, drejtuesit e policisë kanë marrë kontakt me Prokurorinë e Shkodrës, ku është ngritur një grup pune edhe me oficerë të policisë gjyqësore, për ta rishikuar këtë çështje, e cila kishte marrë vendim nga gjykata.
Sipas dosjes penale, më datë 3 korrik të vitit 2001, pikërisht rreth orës 18:00, Albert Kola ka dalë nga banesa e tij, me qëllim për të shkuar në punë, tek ish-shkolla veterinare në Shkodër. Në distancë rreth 10 metra larg banesës ai është qëlluar me breshëri automatiku, duke u plagosur në shpatullën dhe krahun e djathtë. Qitja është realizuar nga një distancë rreth 50 metra nga tre persona, prej të cilëve ai ka deklaruar se ka mundur të identifikojë vëllezërit Valmir Hoxha dhe Gentjan Hoxha, ndërsa personin e tretë nuk ka arritur ta njohë. Pas kryerjes së krimit, i dëmtuari është çuar në Spitalin rajonal Shkodër nga Arben Camaj, me një furgon në pronësi të tij. I pyetur në lidhje me rrethanat e ngjarjes dhe në veçanti në lidhje me motivin e plagosjes së tij, Albert Kola sqaron faktin se familja e tij është në “gjak” me familjen e vëllezërve Valmir dhe Gentjan Hoxha. Kjo, pasi ata i kanë vrarë atij të atin, të quajtur Ejll Kola dhe e kanë plagosur atë vetë dhe vëllain e tij Paulin Kola, në dhjetor të vitit 1999. Këto deklarime të Albert Kolës përputhen me deklarimet e bëra gjatë hetimeve paraprake edhe nga Entela Kola. Sipas të dhënave, pas vrasjes së Ejll Kolës, që e kanë thirrur Lush, më 14 dhjetor të vitit 2000, Paulin Kola, që e kanë thirrur Lin, ka vrarë Nedim Hoxhën, djalin e xhajës së Valmirit. Për këtë arsye mendohet se është bërë edhe atentati në vitin 2001 ndaj Albert Kolës. Këto kanë qenë hetimet e asaj kohe, ndërkohë që dy vëllezërit janë dënuar me 25 vjet burg për Valmirin dhe 21 vjet burg për Gentjanin. Tashmë nuk dihet nëse do ndryshojnë këto vendime pas rihetimit të çështjes, ku Valmiri pretendon se vëllai i tij nuk ka marrë pjesë në vrasje.
#