Raporti i BSH-së, portofoli i depozitave bankare është 363.7 miliardë lekë
Ervin Koçi
“Portofoli i depozitave bankare është rritur 12 për qind gjatë vitit 2008, dhe në total kjo shifër shkon në 363.7 miliardë lekë ose 4.03 bilionë dollarë, ose e konvertuar me 2.95 bilionë euro”. Kjo ka qenë shifra zyrtare e paraqitur nga Banka e Shqipërisë në raportin e saj më të fundit lidhur me stabilitetin financiar në vend. Sipas BSH-së, kjo shifër e depozitave ka pasuar një rritje prej 0.9 për qind në krahasim me një muaj më parë dhe 12.01 për qind në krahasim me një vit më parë. Në fund të gushtit Banka e Shqipërisë raportoi se portofoli i kredisë ishte rritur me 45 për qind. Në total kjo shifër arriti në 356.9 miliardë lekë ose 3.96 bilionë dollarë, e konvertuar me 2.9 bilionë euro. Kjo shifër është rritur me 2.1 për qind në krahasim me një muaj më parë dhe 44.6 për qind në krahasim me një vit më parë. Por një nxitje për shtimin e depozitave bankare nga ana e qytetarëve, sipas raportit të BSH-së ka dhënë dhe ndikimi në rritjen e normave të interesit të depozitave, sidomos gjatë muajve të verës nga ana e bankave private.
Depozitat në euro
Gjatë vitit 2008 interesat për depozitat në euro me afat në përgjithësi kanë pasur prirje rritëse. Sipas të dhënave zyrtare nga Banka Qendrore, interesi mesatar për depozitat me afat 12-mujor në euro ishte 5.36 për qind në muajin korrik, nga 4.74 për qind që ishte në muajin qershor, duke regjistruar një rritje prej 0.62 pikë përqindjeje. Ekspertët e bankave shprehen se, “politikat agresive në sistemin bankar janë ndjekur jo vetëm për depozitat në lekë, por edhe për depozitat afatgjata në valutë”. Spread-i i depozitave 12 mujore lek-euro është zgjeruar ndjeshëm në muajin korrik, nga 1.81 pikë përqindjeje në 2.36 pikë, duke ndikuar pozitivisht konkurrencën për depozitat në lekë, duke pasur edhe një ndikim të caktuar në kursin e këmbimit, bën të ditur BSH-ja.
Depozitat në lekë
Interesi mesatar i ponderuar i depozitave në lekë në përgjithësi është rritur duke arritur nivelin 5.94 për qind në muajin korrik. Sipas BSH-së, ky nivel është 1.43 pikë përqindjeje më i lartë se një vit më parë dhe 0.95 pikë përqindjeje më lart se fundi i tremujorit të kaluar. Rritja ka qenë e vazhdueshme, me përjashtim të muajve shkurt dhe mars, periudhë e cila përkon me përfundimin e ofertave të bëra nga sistemi bankar në fundin e vitit 2007. Duke u ndalur në ecurinë sipas maturimit, të dhënat zyrtare të BSH-së, evidentojnë se përqindja e ponderuar e interesit për depozitat 12-mujore ka regjistruar rritjen më të lartë me 1.12 pikë përqindjeje, duke arritur në nivelin 7.72 për qind. Banka argumenton se pas kësaj rritjeje të konsiderueshme qëndron politika agresive e ndjekur nga sistemi bankar në grumbullimin e depozitave nëpërmjet aplikimit të produkteve promocionale për stinën e verës.
Interesat e kredive
Normat e interesit për kreditë në valutë kanë ndjekur zhvillimet në tregjet botërore, duke u përputhur me ndryshimet e “LIBOR” dhe “EURIBOR”. Norma e interesit për kreditë në euro, në muajin korrik rezultoi 8.15 për qind, 0.35 pikë përqindjeje poshtë nivelit të saj në muajin qershor 2008. Ekspertët e ekonomisë vërejnë se ashtu si në rastin e depozitave, kjo rënie reflekton kryesisht politikat agresive të marketingut të ndjekur nga sistemi bankar gjatë këtij muaji. Kreditë në euro kanë vazhduar të kenë kërkesë të lartë në të gjitha përdorimet, e kryesisht për pasuri të paluajtshme, duke ruajtur spread-et e ulëta dhe konkurrencën midis bankave. Norma e ndërmjetësimit në sistemin bankar është ulur në terma mesatarë. Duke iu referuar pjesës në lekë evidentohet se diferenca ndërmjet normës mesatare të ponderuar të interesit të depozitave me kreditë në lekë, në 7 muajt e parë të vitit është ulur në 7.56 për qind nga 9 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Gjithashtu, norma mesatare e ndërmjetësimit për monedhën evropiane është ulur me 0.82 pikë përqindje në krahasim me gjashtëmujorin e parë të 2007-s, duke arritur nivelin 4.44 për qind.
Fullani: “Do të marrim masa të koordinuara kundër krizës”
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, ka deklaruar se kriza financiare që ka përfshirë botën duhet të përballohet përmes një koordinimi dhe bashkërendimi të masave mes vendeve të ndryshme. Duke folur në një intervistë për “VOA”, guvernatori i BSH-së, Fullani, ka bërë të ditur se së bashku me vendet e rajonit janë ngritur disa rrjeta që mbrojnë sistemin bankar nga kriza. “Kemi të bëjmë me një krizë të besimit të qytetarëve tek bankat dhe kjo bën më të nevojshme një koordinim dhe bashkërendim të masave, si dhe kërkon një vëmendje më të madhe për perspektivën e situatës. Unë kam marrë masa për një bashkërendim rajonal”,- ka pohuar guvernatori Fullani, i cili ka sqaruar edhe masat në fjalë. “Ne kemi një klub që funksionon, jo vetëm si ai i rajonit, por edhe si i supervizionit. Gjithashtu, kemi bërë ligjin e ri të sistemit bankar. Fokusi kryesor është rritja e transparencës së bankave, rritjes së kontrollit të brendshëm dhe menaxhimit të riskut. Rrjetat mbrojtëse të bankave në Shqipëri janë një garanci e madhe për publikun për të rritur besimin në këto institucione”,- ka saktësuar Fullani.
BSH, inflacioni mesatar vjetor reflekton qëndrueshmëri
Gjatë vitit 2007 dhe katër muajve të parë të vitit 2008 norma vjetore e inflacionit mesatar qëndroi e pandryshuar në nivelin 3 për qind, duke arritur objektivin e Bankës së Shqipërisë për stabilitetin e çmimeve. Sipas Bankës Qendrore, si pasojë e efektit kumulativ të rritjes në çmimet të ushqimeve dhe të lëndëve energjetike në tregun botëror, inflacioni arriti vlerën maksimale prej 3.9 për qind në muajin korrik, për t’u ulur me 0.1 pikë përqindjeje në muajin gusht. Inflacioni vjetor u luhat ndjeshëm gjatë kësaj periudhe. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të BSH-së, në tremujorin e parë ai shfaqi një prirje në rritje, duke kapur në muajin mars vlerën 4.6 për qind, më e larta në 5 vitet e fundit. Pasi qëndroi mbi nivelin 4 për qind në tremujorin e dytë, inflacioni vjetor u kthye brenda intervalit të tolerancës prej 2-4 për qind të objektivit për inflacionin. Sipas BSH-së, në muajt korrik dhe gusht, norma vjetore e inflacionit regjistroi përkatësisht vlerat 3.7 dhe 2.5 për qind. Banka evidenton se normat e larta të inflacionit në periudhën gusht’07 – qershor’08 rezultuan nga ndikimi i drejtpërdrejtë dhe i tërthortë i rritjes të çmimeve të ushqimeve dhe të naftës në tregun botëror. Krahas presioneve të jashtme inflacioniste, çmimet në vend u ndikuan nga kufizimet në ofertën vendase të prodhimeve bujqësore të vitit të kaluar dhe nga rritja e çmimit të energjisë në muajin mars’08.
14 Tetor 2008