Kursimi, ja sa u rritën depozitat

Banka e Shqipërisë
Tendenca për të ulur konsumin dhe për t’u orientuar më shumë drejt kursimit është reflektuar në një rritje të depozitave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për muajin shkurt reflektojnë një rritje të depozitave si në valutë, ashtu dhe në lekë. Kështu, ndërsa në muajin e dytë të vitit 2011, në banka, depozitat me afat në dollarë ishin 403 milionë, në vitin 2012, për të njëjtën periudhë, këto depozita kapën vlerën 426 milionë dollarë. Po kështu janë rritur edhe depozitat në euro, të cilat, nëse në muajin shkurt 2011 shënonin nivelin 1.7 miliardë euro, për të njëjtën periudhë të këtij viti shënuan nivelin 2 miliardë euro. Rritje të ndjeshme, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, kanë pësuar edhe depozitat në lekë, të cilat shënuan 371 miliardë lekë në kohën që për muajin shkurt të një viti më parë këto depozita ishin 355 miliardë lekë.