Celularët, në vend të 19 për përdorim, të 96 për çmimet
Raporti i Forumit Ekonomik Botëror për teknologjinë e informacionit.
Renditemi të 19-ët mes 142 shteteve për përdorimin e telefonisë celulare, dhe kjo nuk është e çuditshme kur mendon se viti 2011 u mbyll me 5.2 milionë numra celularë në përdorim. Forumi Ekonomik Botëror, në raportin e tij për teknologjinë globale të informacionit për vitin 2012, e rendit vendin tonë në 20-ëshen e parë të atyre që kanë numrin më të madh të telefonave celularë për 100 banorë, çka në vlerë përkthehet në 149.9. Krahasuar me një vit më parë, Shqipëria ka përparuar në drejtim të përdorimit më të gjerë të celularëve, pasi për vitin 2011 indeksi për përdorimin ishte në vlerën 139 dhe në renditje mes 142 vendeve, në vendin e 22-të. Në kohën që përdorim gjerësisht telefoninë celulare dhe renditemi të 19-ët mes 142 vendeve në botë, për çmimet që kemi renditemi të 96-ët, çka reflekton edhe kontrastin e theksuar. Çmime të kripura dhe përdorim të gjerë.
Raporti
Raporti “Të jetosh në një botë super të ndërlidhur” merr në studim 142 vende në të gjithë botën për të bërë vlerësimin mbi tendencën e teknologjisë së komunikimit dhe informacionit, duke analizuar gjashtë linja kryesore. Fillimisht është nënindeksi mjedisor, ku Shqipëria pozicionohet e 82-ta. Kjo i referohet kuadrit politik dhe rregullator për këtë aspekt, si dhe mjedisit të biznesit dhe inovacionit. E dyta është nënindeksi i mbulimit, ku Shqipëria renditet e 65-ta, dhe kjo i referohet lidhjes infrastrukturore dhe dixhitale, mundësisë për të përballuar shërbimet dhe njohuritë apo aftësitë. Nënindeksi i tretë që vlerësohet është ai i përdorimit, ku përfshihen përdorimi individual, përdorimi nga ana e biznesit, përdorimi nga ana e qeverisë, respektivisht për secilën nga këto aspekte Shqipëria renditet në vendin e 59, 74, 64. Nënindeksi i fundit që merret parasysh është ai i ndikimit që ka përdorimi i teknologjisë së informacionit. Raporti bën vlerësimin e impaktit ekonomik dhe atij social, ku shihet se impakti më i madh është te pjesa sociale dhe ku Shqipëria renditet në vend të 69-të. Në total, raporti i Forumit Ekonomik Botërore del në përfundimin se indeksi i tendencës së përdorimit të teknologjisë së informacionit për vendin tonë ka ardhur në rritje, duke e renditur Shqipërinë në vendin e 68-të nga vendi i 87-të ku ishte një vit më parë.
Interneti
Interneti ka fituar një përdorim të gjerë si për familjarët, ashtu dhe përdorimi individual. Raporti i Forumit Ekonomik Botëror del në përfundimin se shqiptarët renditen në vendin e 55-të kur vjen puna për përdorimin individual. Një vit më parë, lidhur me këtë indeks, ishim të 56-ët.
Raporti
Indeksi Renditja
Përdorimi i celularëve 19
Tarifat për komunikimin 96
Përdorimi i internetit 55
Tarifat për internetin 36
Përdorimi i rrjeteve sociale 37
Thithja e teknologjisë nga kompanit렠 73
Kapacitetet për inovacion 119
Trajnimi i stafit për TI 32
Përdorimi i internetit në biznes 74
Mbulimi me rrjet në vend 69
Aksesi në pajisjet dixhitale 87
Mundësimi i teknologjisë së fundit 75
NERTILA MAHO