Marrëveshja, bashkëpunim me Kosovën për ilaçet
Bashkëpunim me Kosovën në fushën e farmaceutikës. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe homologu i tij, Ferid Agani, nënshkruan dje në Prishtinë Memorandumin e Bashkëpunimit midis dy ministrive në fushën e farmaceutikës. Po ashtu, Memorandumi i Bashkëpunimit në këtë fushë u nënshkrua edhe mes drejtorit të Qendrës Kombëtare për Kontrollin e Barnave të Shqipërisë, Besnik Jakaj dhe kryeshefit Ekzekutiv të Agjensionit për Produkte Mjekësore të Kosovës, Ilir Dushi. Me këtë Memorandum institucionet homologe të shëndetësisë nga Kosova dhe Shqipëria do të bashkëpunojnë, komunikojnë, shkëmbejnë informacione dhe eksperienca në fushën e legjislacionit farmaceutik; kontrollit të cilësisë së barnave; inspektimit të kushteve të mira të fabrikimit (GMP), farmakovigjilencës dhe aktiviteteve të përbashkëta shkencore, edukuese, informuese. “Tashmë Kosova dhe Shqipëria flasin me një gjuhë tjetër edhe në fushën e përafrimit të legjislacionit dhe të dy sistemet shëndetësore të vendeve tona janë në fushën e reformimit pozitiv”, theksoi ministri Petrit Vasili. Ministri Ferid Agani vlerësoi se me nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit do të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e përafrimit të legjislacionit në farmaceutikë dhe në aspekte të tjera të këtij sektori shumë të ndjeshëm, ndërsa përfitues të këtij bashkëpunimi do të jenë qytetarët e të dy shteteve.