Kurteshi, i pakënaqur me respektimin e të drejtave të njeriut

Avokati kosovar i Popullit, Sami Kurteshi nuk është i kënaqur me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë. Ai thotë se shkelësit më të mëdhenj të të drejtave të njeriut janë institucionet qeverisëse, por edhe vetë drejtësia.
Në intervistën dhënë për platformën “Albinfo.ch”, Ombudspersoni kosovar shprehet mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë si dhe mbi faturat e shumëpërfolura të KEK-ut.
“Bazuar në informatat dhe të dhënat e mbledhura në Institucionin e Avokatit të Popullit, ne mund të konstatojmë, se Avokati i Popullit nuk është i kënaqur me nivelin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, nga autoritetet publike në Republikën e Kosovës”, deklaron ai.
Kurteshi, ish i burgosur politik në kohën e ish-Jugosllavisë, thotë se në aspektin e shkeljes së të drejtave njeriut, çalojnë institucionet themelore të shtetit.
“Në këtë aspekt çalojnë të gjitha institucionet publike në të gjitha fushat, me ndonjë dallim të vogël. Por në krye të listës janë institucionet ekzekutive dhe ato gjyqësore. Por gjendja nuk është shumë më e mirë as në fushat tjera si shëndetësia, arsimi, çështjet sociale etj”, tha Kurteshi.
Në pyetjen se si komentohet pakënaqësia qytetare lidhur me fryrjen e supozuart të faturave të KEK-ut, ai tha se Ombudspersoni kosovar e ka përcjellë që nga fillimi shprehjen e pakënaqësisë, ndërsa nuk ka ndonjë koment për këtë derisa nuk mblidhen faktet dhe dëshmitë se “për çka është fjala saktësisht”.
“Avokati i Popullit ka pranuar një numër të konsiderueshëm të ankesave nga qytetarët për shkak të faturave të KEK-ut, por sigurisht jo të gjithë qytetarët e pakënaqur janë paraqitur në Institucionin tonë. Prandaj, Avokati i Popullit ka hapur rastet dhe ka filluar hetimet në lidhje me këtë çështje”, tha Kurteshi.
Ndryshe, Avokati kosovar i Popullit ka disa vite që ka jetuar në diasporë dhe e dinë relativisht mirë si funksionojnë të drejtat e njeriut në Zvicër dhe në vendet tjera të Bashkimit Evropian.
Në pyetjen se çfarë reagimi do të ishte atje sikur faturat e energjisë të kalojnë pothuajse gjysmën e pagës bazë, ai tha se “kjo as nuk bën të krahasohet”.
“Kjo është një pyetje hipotetike në të cilën ne nuk mund të përgjigjemi, sepse kemi të bëjmë me një sistem tjetër. Sigurisht edhe atje (në perëndim) ka ankesa dhe ato ngjajnë vazhdimisht, por gjithçka mbetet brenda sistemit, sepse atje kemi të bëjmë me një sistem stabil dhe efikas”, tha ai.
Ndërkaq në një pyetje pak më ndryshe, se a është krijuar “infrastruktura” për krijimin e në blloku të përbashkët të shoqërisë civile kundër keqqeverisjes, Kurteshi tha se kjo është një çështje që tejkalon domenin e tij si Avokat i Popullit.
Megjithatë ai tha se “shprehja e pakënaqësisë është e drejtë e garantuar me Kushtetutë”.
“Sigurisht ka edhe pakënaqësi të qytetarëve kundër keqqeverisjes në të gjitha instancat. Se a ka një "bllok të përbashkët të shoqërisë civile kundër keqqeverisjes", nuk është çështje për të cilën komenton Institucioni i Avokatit të Popullit. Se ka një shprehje të pakënaqësisë nga një grup i qytetarëve me faturat e KEK-ut, ky është një fakt”, tha ai./Indeksonline/