E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Është koha për drejtësi, Kolegji t’i referohet Kodit Zgjedhor

TIRANË- Për kryetarin e opozitës, Edi Rama, është koha që drejtësia të bëjë drejtësi. Në konferencën e djeshme për shtyp, Rama i ka kërkuar Kolegjit Zgjedhor, që t’i referohet vetëm Kushtetutës dhe interesave të vendit. “Në këto momente i takon drejtësisë të bëjë drejtësi, të thotë fjalën e vet pa parë majtas e djathtas, por duke parë drejt te Kushtetuta, te Kodi Zgjedhor, te ligjet e këtij vendi dhe mbi të gjitha tek interesat kombëtare të Shqipërisë. Asnjëherë më açik se kaq nuk është shfaqur konflikti për lirinë dhe të drejtën e votës në Shqipëri dhe po ashtu, asnjëherë më açik se kaq, nuk është shprehur i gjithë komuniteti i miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë”, - tha dje Rama. Kryetari i opozitës shprehet për të disatën herë se përmbysja e rezultatit në tavolinë është një qëllim i shpallur prej kreut të ekzekutivit. “Sot Saliu flet e stërflet për të drejtën e votës, një të drejtë që e ka shkelur historikisht. Një të drejtë, që e shkeli dhe e shtypi për dy vjet rresht, një të drejtë që po e rishkel, duke u përpjekur të ndryshojë rregullat e lojës në fund të lojës. Sigurisht që ne kemi qenë të qartë dhe të bindur për të gjithë rreziqet e një procesi zgjedhor me garanci të munguara. Por hymë në këtë proces me rregulla që ishin të përcaktuara. Dhe këto rregulla përbënin edhe kuadrin në të cilin u zhvillua kjo garë, ashtu siç çdo garë tjetër”, - tha Rama. Ndryshimi i rregullave nga KQZ-ja, sipas Ramës, vërteton më së miri se kush ka fituar dhe kush ka humbur. “Kush kërkon rezultatin e vullnetit të popullit të shprehur me votë dhe të bërë publik pas një numërimi spektakolar dhe kush kërkon ta përmbysë këtë rezultat me të gjitha arsyet e mosarsyes. Ajo që shqiptarët panë të ndodhë për disa ditë rresht në Komisionin Qendror të Vjedhjeve ishte një kanibalizëm elektoral. Aty u pa qartë jo vetëm shkelja e Kushtetutës, e Kodit Zgjedhor e çdo ligji dhe e çdo norme morale për një shoqëri që pavarësisht varfërisë, pavarësisht rraskapitjes dhe dëshpërimit social, nuk mund ta pranojë dot vjedhjen si një akt të moralshëm dhe si një akt mbi të cilin mund të ngrihet bashkëjetesa demokratike e këtij vendi”, - tha ai. Kryetari i PS-së theksoi se, Tirana nuk do të bëhet pjesë e pushtetit të Berishës. “Mbetemi të bindur se Tirana nuk bëhet dot pjesë e tavolinës së oborrit të Saliut, ku shqyhen përditë copa Shqipërie. Pa asnjë lloj përpjekjeje madje për të fshehur synimin e hapur, që është grabitja e këtij vendi përmes pushtetit të vjedhur, që vjedh vota për të vjedhur Shqipërinë dhe që pastaj, me paratë e vjedhura, deformon votën për të vazhduar të sundoj Shqipërinë”, - tha ai, duke adresuar së fundmi edhe falenderime për partnerët ndërkombëtarë.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›