E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS dorëzon në mesnatë në KQZ ankesën e tretë

SHKRUAN: Fejzi Braushi 27-05-2011 10:53

Partia Socialiste i kërkon zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shpallë të pavlefshëm rezultatin e zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës dhe të shpallë fitues të tyre Edi Ramën. Socialistët kanë depozituar dje vetëm në orët e vona të mbrëmjes, një orë nga skadimi i afatit ligjor, në KQZ, dy kërkesa ankimore: një për kundërshtimin e vendimit për miratimin e tabelës së rezultateve për njësinë numër 5 ose KZAZ-në 49 dhe një kërkesë të dytë për kundërshtimin e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të gjithë njësisë vendore Bashkia Tiranë.

Njësia 5

Kërkesa e parë e socialistëve ka si objekt kundërshtimin e vendimit numër 710 të datës 23 Maj të KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultateve për njësinë bashkiake numër 5 në Tiranë. Në padinë e tyre vihet re se socialistët sërish nuk pranojnë ta njohin rolin që luajti KQZ gjatë fazës së shqyrtimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara dhe miratimin e tabelës së rezultateve si një KZAZ e madhe për gjithë Bashkinë e Tiranës. Ndaj ata në objektin e kërkesës së tyre theksojnë se kundërshtojnë vendimin e KQZ-së për miratimin e tabelës përmbledhëse të rezultatit të votimit për kryetar të Zonës së Administrimit Zgjedhor numër 49, qarku Tiranë. Më tej, në këtë kërkesë PS kërkon pavlefshmërinë e vendimeve të marra nga ky institucion për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ numër 49. Pas këtij veprimi socialistët kërkojnë ndryshimin e vendimit numër 710 dhe nxjerrjen e një tabele të re përmbledhëse për këtë njësi, duke u bazuar në rezultatet e dala nga numërimi i votave nga GNV-të për çdo QV dhe transmetuar në bazën e të dhënave në KQZ.

Bashkia e Tiranës

Përveç kërkesës së mësipërme, Partia Socialiste ka paraqitur dhe një kërkesë të dytë dhe që trajton rezultatin për gjithë Bashkinë e Tiranës. Objekti i kësaj kërkese nis me kundërshtimin e vendimit 711 të KQZ-së për nxjerrjen e rezultatit të votimit për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Ashtu si dhe në kërkesën e parë, edhe kësaj here pala ankimuese kërkon pavlefshmëri të vendimeve të marra nga KQZ për ndryshimin e tabelave të rezultateve të QV-ve të ZAZ-ve për gjithë këtë njësi vendore. Pra, me këtë kërkesë PS kërkon pavlefshmërinë e veprimit të KQZ-së për të numëruar votat e gjendura në kutitë e gabuara. Pas këtyre veprimeve socialistët i kërkojnë KQZ-së që të miratojë tabelën e re përmbledhëse të rezultatit për gjithë Bashkinë e Tiranës, duke u bazuar në të dhënat e ardhura nga çdo KZAZ dhe duke shpallur Edi Ramën fitues të zgjedhjeve për Tiranën. Megjithatë, këto dy kërkesa kanë një rëndësi krejt formale në këtë nivel të gjykimit, pasi siç dihet ankimimi në KQZ ishte i detyrueshëm për PS-në si e vetmja mënyrë për të kapur më pas dhe ankimimin në Kolegjin Zgjedhor, ku natyrisht pritet të ndahet fati i kryetarit të ri të Bashkisë së Tiranës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›