E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Rama kërkon karrigen e kryetarit, ose përmbysjen e maxhorancës

TIRANË- Prej dy javësh, kryeministrit Sali Berisha, vendi i shëmbëllen me një teatër absurd. Gjatë punimeve të djeshme të Kuvendit, ku opozita nuk mori pjesë, kreu i ekzekutivit ka theksuar se ngjarjet e fundit në vend si; rrethimi i KQZ-së, bllokimi i rrugëve dhe ultimatumet, janë pasojë e mosnjohjes së rezultatit nga kryetari i PS-së, Edi Rama. “Zoti Rama ka qeverisur Tiranën për 11 vjet, por më 8 maj qytetarët e Tiranës i dhanë “Aleancës për qytetarin” një fitore të katërfishtë, dhe kjo fitore qëndron në radhë të parë në parlamentin e kryeqytetit, në parlamentet e minibashkive, në kryetarët e minibashkive dhe një fitore të qartë, të ngushtë në kryetarin e bashkisë. Ne, megjithë këto rezultate të qarta në dritën e diellit, jemi shprehur dhe shprehemi se presim me besim dhe me durim verdiktin e institucioneve kushtetuese të vendit...”, tha dje Berisha. Ashtu si kryetari i PS-së, Edi Rama, edhe kryeministri Sali Berisha shprehet në anën tjetër se po kërkohet që të shkruhet rezultati nga zyrat e partive. “Ultimatumi është i tillë “ose karrigen e kryetarit, ose përmbysjen si maxhorancë” dhe këtë ultimatum ia bën një maxhorance, e cila vetëm dy javë më parë mori një mbështetje 17 % më shumë se koalicioni që ai udhëhoqi dhe që mbetet e hapur për bashkëpunim, për mirëkuptim, por që kurrë nuk mund të bëjë një pazar të tillë, sepse kjo do të ishte goditja më palcore që mund t’i jepej sistemit demokratik shqiptar”, - tha ai. Duke iu referuar praktikave të huaja për rinumërimin, kryeministri solli ndërmend edhe votën e hedhur gabim nga Presidenti i Republikës. “Dua t’i bëj një pyetje, zotit Rama. Çfarë do të thonin këto qytetarë, të cilët pritën me kënaqësi 8 majin dhe si qytetarë të përgjegjshëm të kësaj Republike shkuan aty për të shprehur bindjet e tyre politike dhe për të parë bindjet e tyre politike të vlerësuar në votë, në qoftë se ne do t’ua hidhnim në kosh këto vota. Këta qytetarë ishin burra e gra të bindjeve, moshave, profesioneve e rangjeve të ndryshme. Ndodhi që Presidenti i Republikës votoi në një kuti të gabuar, por çfarë do të thonin qytetarët shqiptarë, në qoftë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk do të hapte kutinë për të numëruar votën e tij. Ata do të thonin se, kur këta nuk çajnë kokën për votën e Presidentit, çfarë na mbetet neve. Çfarë do të thoshte bota, kur do të shihte se këtu nuk numërohet vota e Presidentit? Këta janë bizarë, do të thoshte. A nuk do të krijohej një Dushk i dytë, për të cilën u bëmë të famshëm në të gjithë Europën?...”,- tha ai.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›