Kurti: IRJM synon dëbimin e shqiptarëve nga Maqedonia
Ndërkaq, privatizimi neoliberal ia grabit asaj pasuritë natyrore dhe kapacitetet zhvillimore ekonomike e “nigerizon” Kosovën. Kurti shprehet se edhe zgjedhjet e fundit në Kosovës kishin për synim legjitimimin e decentralizimit.Ai thotë se nuk do të futet në politik pasi Kosova nuk është sovrane, meqë sipas tij burokratët ndërkombëtarë me fuqitë e tyre ekzekutive sundojnë mbi të gjitha institucionet e sistemit. “Kosova nuk është sovrane: bëhesh deputet a ministër dhe mandej e merr vesh qysh nuk je as deputet e as ministër meqë i ke burokratët ndërkombëtarë që me fuqitë e tyre ekzekutive sundojnë mbi të gjitha institucionet e sistemit. Për më keq, zgjedhjet në Kosovë paraqesin veçse një demokraci formale ku njerëzit votohen e kandidojnë për poste të ndryshme ndërkohë që çështjet më thelbësore si ato të sovranitetit e marrëdhënieve ekonomike zhvillohen në një botë paralele politike ku s’mund të votosh”, vlerëson Kurti. Ndërkaq, lidhur me zhvillimet në Maqedoni, lideri i “Vetvendosjes” thotë se shteti i IRJM-së gjithnjë e më shumë po i konsideron shqiptarët si një element të huaj, i cili duhet dëbuar së pari nga institucionet dhe jeta ekonomike e shoqërore e pastaj edhe nga territori i tyre.“Për ta ndalur hovin maqedonas, shqiptarët duhet të veprojnë si një trup. Shqiptarët në IRJM nuk mund t’ia dalin të vetëm në ballafaqim me shtetin shovinist të IRJM-së. Shumë gjëra mund të bëhen, shumë hapa të vegjël mund të qiten, në aspektin e ndërlidhjes ekonomike, arsimore e kulturore”, theksoi Kurti.Ai thotë se partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet ta definojnë qëllimin kombëtar dhe platformën e përbashkët e cila nuk do të ishte e diskutueshme dhe e negociueshme.“Duhet ta kuptoni një gjë: Ali Ahmeti nuk është më çlirimtar por është politikan, dhe idealet e qëllimet e UÇK-së janë të tjera prej BDI-së. Jo vetëm ai, por të gjithë politikanët shqiptarë në IRJM kanë përfunduar në një zinxhir të pafundmë kompromisesh. Urgjentisht duhet që partitë politike shqiptare në IRJM ta definojnë qëllimin kombëtar dhe platformën e përbashkët e cila nuk do të ishte e diskutueshme dhe e negociueshme”, deklaroi kreu i Vetvendosjes.