“Grand Ballo” mbrëmë në TKOB
TIRANë- Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit organizoi mbrëmjen e djeshme një "Grand Ballo", një aktivitet i kthyer tashmë në traditë për festat e fundvitit. Edhe këtë vit, balloja u realizua nga Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe ofroi për publikun një atmosferë të mrekullueshme të festës në këtë fundviti, me kryeveprat e muzikës klasike botërore të kompozitorëve si Shtraus, Vivaldi, etj, duke e bërë më të magjishëm aktivitetin e kthyer në traditë për këtë institucion. Hapja e mbrëmjes u realizua nga formacioni muzikor i Gardës së Republikës, të cilët interpretuan Marshin e Pashait. Më tej, solistët e TKOB-it, Vikena Kamenica, Sidrit Bejleri, Armando Kllogjeri, Eva Golemi, etj., sollën për të pranishmit pjesë nga operat më të sukseshme si “Tarantella”, “Dasma e Figaros”, etj., të cilët u shoqëruan nga orkestra simfonike e TKOB-it, nën dirigjimin e Gridi Krajës, Petrika Afejzollit dhe Edmond Dakos Gjithashtu, protagonistë të kësaj mbrëmjeje ishin dhe balerinët Enada Hoxha, Gerd Vaso, Esdalin Gorani, etj., të cilët interpretuan në skenë koreografitë e realizuara nga Agron Aliaj, Ilir Kerni dhe Arian Sukniqi. Në skenën e “Grand Ballos” u ngjit mbrëmë dhe baritoni shqiptar Gëzim Myshketa, i cili aktualisht këndon në skenat më të njohura italiane. "Grand Ballo" këtë vit erdhi nën mbështetjen e Kryetares së Kuvendit, zonjës Jozefina Topalli, e cila ishte e pranishme në sallë. Gjithashtu ky aktivitet u ndoq dhe nga personalitete të tjerë në vend, të trupit diplomatik, etj.(m.a/BalkanWeb)