Gentilini: Aksioni i padobishëm për të ardhmen e Kosovës

Reagimeve të ambasadorëve të vendeve të Kuintit, ndaj aksionit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të presidentes së Kosovës, i është shtuar edhe ai Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë, Fernando Gentilini, i cilin aksionin e paralajmëruar e ka quajtur të padobishëm për të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe si aksioni, i cili nuk do të ndihmojë në normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë.
“Tregu i përbashkët, duke përfshirë lirinë e lëvizjes për njerëzit dhe mallrat, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë ndër vlerat thelbësore evropiane dhe shumë të rëndësishme për çdo kandidat potencial për Bashkimin Evropian.
“Kosova deri më tani ka bërë hapa të rëndësishëm drejt përmbushjes së këtyre standardeve dhe çdo veprim që synon të rrisë pengesat, në vend se t'i ulë ato, rrezikon që ta minoj këtë progres”, thuhet në deklaratën e Gentilinit, i cili ka bërë thirrje për të gjithë që të përmbahen nga veprimet që kanë për qëllim pengimin e ndonjë prej këtyre lirive, për arsye se veprime të tilla do të përfaqësojnë vetëm kthim prapa në agjendën evropiane.