E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaci: Koalicioni zyrtar gati pas 9 Janarit

PRISHTINE-Hashim Thaçi po pret që në janar t’i hiqet epiteti që aktualisht e ka, kryeministër në largim. Në një intervistë për “Koha Ditore”, Thaci shprehet se beson se në gjysmën e parë të këtij muaji do ta zyrtarizojë koalicionin që do t’ia siguronte shumicën e karrigeve në Kuvend, gjë që do të siguronte edhe udhëheqjen e ekzekutivit deri në vitin 2014.
Thaci, nuk tregon se më kë do ta bëjë atë koalicion, por tregon se kush nuk mund të bashkëqeverisë me të. Edhe njëherë, Thaci deklaroi se jashtë koalicionit përvec “Vetëvendosjes” e lë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Ai konsideron se qëndrimi i partisë 21-vjeçare në opozitë do ta pasuronte tërë skenën politike në vend.
Kryeministri në largim ngurron të përzihet në punë të brendshme të kësaj partie por, thekson se “Isa Mustafa të mos shpresojë në krijimin e ndonjë qeverie teknike, e as të mos përpiqet që krizën e brendshme të partisë ta zgjerojë në krizë vendi”.

Me bindjen se është politikani më i votuar në Kosovë, ai e ndien veten përgjegjës për të gjetur një president të mirë. Nuk shprehet nëse ai mund të jetë Behxhet Pacolli, Blerim Shala, Murat Jashari apo Adem Demaçi, por konfirmon se presidenti i ri do ti vijë nga klasa politike.
“Vijat e kuqe” që i nxjerrin disa prej drejtuesve të AAK-së për të mos hyrë në koalicion me PDK-në, Thaçi nuk i merr shumë seriozisht, ashtu sikur nuk e mohon se po t’i jepej mundësia do ta vizitonte Ramush Haradinaj në Tribunalin e Hagës.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›