BSPK: Po manipulojnë furrtarët
Për ngritjen e çmimit të bukës, kërkon intervenim shtetëror. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës konsideron se furrtarët po manipulojnë me çmime, sepse sipas tyre, nuk ka pasur ngritje të çmimit të grurit as të miellit, në bursa ndërkombëtare.
Kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi, ka ftuar Qeverinë që në raste të tilla duhet t’i shfrytëzojë rezervat e saj, pasi që ato i ka në dispozicion. “Kur ndodhin këto ngritje të çmimeve, institucionet vendore duhet t’i shfrytëzojnë rezervat shtetërore dhe duhet të inspektojnë çmimet, sepse furrtarët në këtë rast mund të kenë ndonjë marrëveshje për ngritjen e çmimit, sepse mielli dhe gruri vazhdojnë të jenë me çmimin e njëjtë”, thotë Arifi.
Ai thotë se kanë informata se ngritja e çmimit të grurit dhe miellit nuk ka ndodhur dhe sipas tij, kjo po ndodh në mungesën e inspektoratit në treg.
“Furrtarët po e shfrytëzojnë këtë që në kurriz të popullatës të bëjnë këtë shtrenjtim. Kjo laramani që po ndodh në Kosovë, pasi diku çmimi është 30 centë, diku 35, diku 40 centë, ata paralajmërojnë se çmimi do të jetë edhe më i lartë, po ata për momentin nuk kanë argumente, sepse çmimi i miellit dhe i grurit nuk është ngritur. Këtë e bëjnë për shkak se inspektorati nuk i monitoron”, ka thënë Arifi.
Si sukses të këtij viti për BSPK-në, është zhbllokimi i mjeteve nga fondi i 20-përqindëshit për punëtorët, ku vetëm më 2010 janë shpërndarë mbi 34 milionë euro.
Qysh në fillimin e kësaj jave, furrtarët rritën çmimin e bukës edhe për 5 centë duke shkuar në 40 centë një bukë. Ky shtrenjtim u bë për të dytën herë brenda një muaji. Arsye e kësaj ngritjeje, sipas furrtarëve, ishte shtrenjtimi i miellit dhe i karburanteve në vend. Ndërkaq, ekonomistët thonë se jeta e kosovarëve po shtrenjtohet përditë e më shumë.
Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, deklaron se Qeveria duhet të marrë një vendim që çmimi i bukës të jetë më i arsyeshëm për nivelin e pagave që e ka popullsia.
“Në të gjitha vendet e botës artikujt ushqimorë kryesorë që janë për ekzistencën e njeriut i kanë çmimet fikse dhe nuk mund të formohen në bazë të kërkesës dhe ofertës, me qëllim që të ruhet standardi jetësor”, tha Limani.
Qeveria, shtoi ai, duhet që nëpërmes politikës fiskale dhe subvencioneve ta mbajnë nivelin e çmimeve, e cila është e pranueshme për mosdëmtimin e standardit jetësor.