Kurti: Shqipëria dobëson Kosovën kur afrohet me Serbinë
Lëvizja "Vetëvendosje" në Kosovë reagoi ashpër dje ndaj deklaratave të Kryeministrit Berisha për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë. Me anë të një deklarate për mediat, kryetari i kësaj lëvizje, Albin Kurti, theksoi se këto deklarata të bëra nga ana e Kryeministrit të Shqipërisë dobësojnë rolin e Shqipërisë në rajon. "Kryeministri Berisha sikur harroi se ishte Serbia që para disa javësh me gjithë forcë lobonte kundër liberalizimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë. Ky lëshim pe i autoriteteve të Shqipërisë vetëm sa forcon pozitën dominuese të Serbisë në rajon dhe, rrjedhimisht, dobëson pozitën e Kosovës", theksohet në deklaratën e lëvizjes "Vetëvendosje". Sipas drejtuesit të kësaj lëvizje, Albin Kurti, lobimi agresiv i Serbisë kundër njohjeve nga vendet e tjera janë një shkak i mjaftueshëm që Shqipëria të mos normalizojë marrëdhëniet e saj me këtë vend. Po kështu, Kurti thekson se oferta e Shqipërisë për ndihmë materiale ndaj komunës së Graçanicës ndikon në "bosnjëzimin" e Kosovës.