E Shtunë, 31 Tetor 2026

Orikum, protestë kundër ligjit të tokës

Dhjetëra banorë të Orikumit dhe Dukatit kanë protestuar sërish mëngjesin e djeshëm kundër vendimit më të fundit të tokave në përdorim. Ata i kanë kërkuar Presidentit të Republikës, Bamir Topit, që të mos e dekretojë ligjin, pasi, sipas tyre, ky ligj legjitimon "mafien e tokave në përdorim". Nënkryetari i Shoqatës së Tokave në Orikum, Yrjet Havari, ka thënë dje për "Shqip" se: "Këta mafiozë të tokave kanë marrë pa të drejtë nga ligji i kthimit dhe kompensimit të tokave shumë hektarë tokë në këtë zonë. Shumë prej tyre nuk janë banorë dhe nuk kanë lidhje me tokat e kësaj zone". Ndërkaq, ai i ka bërë thirrje Kryeministrit që të hetojë këta "pronarë falsë". Ndërkaq, anëtari i kësaj shoqate, Mitro Capo, është shprehur: "Parlamenti miratoi ligjin për tokat në përdorim, ligj ky që bën përçarjen vëlla me vëlla dhe jo bashkim. Ky ligj është diskriminues. Ne si banorë të Dukatit jemi të diskriminuar nga Parlamenti ynë. Ky ligj bën pronarë tokash, pronarë të falsifikuar, duke krijuar kushte për luftë civile. Ky ligj na detyron ne që të kalojmë në mosbindje civile qytetare. Prandaj i bëjmë thirrje Presidentit Bamir Topi të mos dekretojë ligjin, sepse ne nuk do ta pranojmë kategorikisht dhe do të luftojmë me të gjitha format demokratike që do të na detyrojë qeveria". Protestuesit kanë bllokuar për më shumë se 30 minuta bulevardin kryesor dhe më pas janë shpërndarë, duke paralajmëruar se do të përshkallëzojnë protestat deri në zgjidhje të kërkesave të tyre.

Mi.Ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›