Kurti zgjerohet në Tiranë: Të bllokojmë mallrat serbe

Vetëvendosja gjatë konferencës, dje në Tiranë
Lëvizja Vetëvendosje fton shqiptarët të protestojnë në kufi me Serbinë.
Albin Kurti në Tiranë: Të jemi shtete të barabarta me Serbinë, qeveria Thaçi të zbatojë masat e reciprocitetit.
Mijëra qytetarë nga Kosova dhe Shqipëria pritet të marrin pjesë në protestën e ftuar nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka si synim të nxisë autoritetet kosovare të zbatojnë masat e reciprocitetit me Serbinë. Sipas organizatorëve të Lëvizjes Vetëvendosje, bllokimi i pikave të kalimit kufitar me Serbinë do të zgjasë deri sa qeveria e Kosovës të marrë masa për respektimin e plotë të reciprocitetit me një vendim të rregullt. Qytetarët do të qëndrojnë 24 orë në rrugë për të mos lejuar qarkullimin e automjeteve në dy pikat kufitare me Serbinë, në Merdare dhe Dheu i Bardhë.
Ndërsa gëzon një mbështetje të gjerë mbarëpopullore në Kosovë dhe u zgjodh si personazhi i vitit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, erdhi dje në Tiranë për të kërkuar edhe mbështetjen e shqiptarëve të Shqipërisë për ti treguar Serbisë se në Kosovë nuk kalon. Kjo është motoja e protestës paqësore, që do të organizohet prej Vetëvendosjes: Serbia nuk kalon! Në Shqipëri nismat e kësaj lëvizjeje po mbështeten nga Aleanca Kuqezi. Dy pikat doganore me Serbinë do të bllokohen nga protestuesit në tubimin e tyre paqësor, për të kërkuar zbatimin e masave për të cilat Kuvendi në Prishtinë i miratoi me mbështetjen e shumicës më 7 janar, e ende nuk po i vë në zbatim: reciprocitet i plotë politik ekonomik e tregtar ndaj Serbisë, nxitja e prodhuesve vendorë për të zëvendësuar produktet serbe në tregun e Kosovës dhe forcimi nga qeveria i mekanizmave shtetërorë për të zbatuar këtë marrëveshje. Sipas Albin Kurtit, aksioni nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën, por me të gjithë shqiptarët kudo që janë. Reciprociteti është thelbi i barazisë dhe vetëm barazia sjell marrëdhënie të mira. Serbia nuk është shtet normal dhe as fqinj i zakonshëm. Në Kushtetutën e tyre shkruhet se Kosova është pjesë e Serbisë, tha Kurti, duke kërkuar barazi mes dy shteteve. Ai shtoi se Më shumë ka shqiptarë në Serbi, sesa serbë në Kosovë dhe ata janë të diskriminuar e të persekutuar edhe 12 vjet pas luftës në Kosovë. Kurti kërkoi stimulimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, pasi sipas tij, në zbatimin e përkohshëm të masave të reciprocitetit me Serbinë, prurjet e mallrave shqiptare në Kosovë ishin dyfishuar dhe po ashtu futja e produkteve shqiptare në treg. Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete që i përkasin kombit shqiptar, që është edhe më i madh se këto dy shtete. Duhet të mbrohemi, pasi vetëm kësisoj kombi do të jetë i qëndrueshëm dhe i fuqishëm. Kosova dhe Shqipëria duhet të bëhen komplementare ekonomikisht, kjo do të ishte në favor të të gjithë shqiptarëve, theksoi Kurti. U bëjmë thirrje që të bashkohen më 14 janar, pasi me mbrojtjen e kufirit mbrohet kombi shqiptar, tha ai. Sipas Vetëvendosjes, të dhënat tregojnë se në Kosovë 15 për qind të tregut e zotëron Serbia, ndërsa Shqipëria ka vetëm 3 për qind të tij. Në fjalën e tij, Kurti akuzoi Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe ministrin Bajram Rexhepi se po tolerojnë strukturat paralele në territorin e Kosovës.
Reagon Kryeministri kosovar
Thaçi: Vetëvendosja vetëfundosje, Aleanca Kuq e Zi, Aleancë faqezi

Hashim Thaçi
Reagimi i Kryeministrit Hashim Thaçi pas vizitës së Albin Kurtit në Tiranë ishte tejet i ashpër. Thaçi kërkoi mbështetje nga të gjithë shqiptarët për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë. Si kurrë më parë, Thaçi e ka cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si vetëfundosje dhe Aleancën Kuq e Zi që po e mbështet atë, si Aleancë faqezi. Për këtë të fundit iu referua thënies së Kryeministrit Sali Berisha. Ata nuk janë Vetëvendosje, por vetëfundosje. As kuq e zi nuk janë, por siç ka thënë Kryeministri Berisha, janë faqezi, reagoi Kryeministri Thaçi, dje pas mbledhjes së kabinetit të tij. Aksionin e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka fituar mjaft mbështetje mbarëpopullore, me liderin Albin Kurti që u vlerësua si personazhi i vitit, Thaçi e ka cilësuar si një përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë.
Kryeministri i Kosovës pas mbledhjes së qeverisë shprehu besimin se qytetarët e Kosovës nuk do ti përgjigjen ftesës së Vetëvendosjes për ti bllokuar pikat kufitare, ndërkohë që e paralajmëroi Vetëvendosjen dhe të gjithë ata që do ti bashkohen kësaj lëvizjeje për të marrë pjesë në protestë, se veprimet e dhunshme do të jenë të papranueshme. Thaçi i ka quajtur anëtarët e Vetëvendosjes si pseudopatriotë. Këtyre pseudopatriotëve të rrejshëm u ka mbetur merak që nuk e kanë veshur uniformën e UÇK-së në kohën kur është dashur, tha Thaçi, duke shtuar më tej se patriotizmi sot është respektimi i Kushtetueses dhe ligjeve të Kosovës dhe jo bllokimi i rrugëve dhe pikave kufitare.
Ky model serb i aplikuar në Veri nuk duhet të kopjohet nga partitë dhe njerëzit që synojnë pushtetin, sepse pushteti fitohet me vota dhe jo me dhunë. Nuk duhet të kopjohet Zvonko Veselinoviqi, nga i cili është distancuar edhe Serbia, ka deklaruar Thaçi.
Serbia, kundër referendumit
Sekretari për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviç, u ka bërë thirrje serbëve të Veriut të Kosovës që të heqin dorë nga mbajtja e referendumit për pavarësi, pasi në këto momente, sipas tij, nuk është i nevojshëm. Ivanoviç tha se 95 për qind e banorëve në Veri nuk dëshirojnë kurrfarë lidhjesh me institucionet e Prishtinës. Do të ketë sigurisht ende sfida dhe ajo që është e sigurt, nuk kemi tjetër alternativë përpos pushtetit në Serbi, tha Ivanoviç, duke shtuar se me Prishtinën është vështirë të ketë komunikim më të mirë dhe po ashtu është me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të cilët sipas tij, në situata kritike janë sjellë njëanshëm. Ivanoviç paralajmëroi se organizimi i një referendumi nga krerët e strukturave paralele të komunave me shumicë serbe në Kosovë do të nxiste marrëdhënie të këqija me Serbinë.