E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bullgaria mohon gjenocidin armen

Parlamenti i Bullgarisë ka hedhur poshtë miratimin e një deklarate, përmes së cilës kërkohej që të njihej gjenocidi turk ndaj popullsisë armene.

Paraprakisht, Turqia e kishte paralajmëruar Sofjen zyrtare për “pasojat serioze” në marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve po qe se Parlamenti i Bullgarisë do miratonte këtë deklaratë.

Në muajin dhjetor, Ankaraja u zvogëloi ndjeshëm marrëdhëniet e saj diplomatike me Francën, pasi që Parlamenti i këtij vendi votoi për njohjen e gjenocidit ndaj popullatës armene.

Sipas të dhënave historike të Armenisë, rreth 1,5 milionë shtetas të kësaj ish-republike të dikurshme sovjetike, të cilët jetonin nënë sundimin e Perandorisë Osmane, ishin ekzekutuar nga ana e forcave osmane në periudhën mes viteve 1915-1917.

Nga ana tjetër, historiografia turke nuk e pranon këtë version armen, dhe pretendon se asokohe kanë humbur jetën diku afro 300,000 armenë, dhe atë pasi ishin të përfshirë brenda zonave të luftimit ndërmjet Perandorisë Osmane dhe Perandorisë Ruse - me të cilën ata edhe po bashkëpunonin.

Ishte partia e djathtë ekstreme - Ataka, ajo që fillimisht kishte paraqitur kërkesën për njohjen e gjenocidit turk ndaj armenëve para autoriteteve bullgare.

Kjo ishte hera e pestë që kjo lëvizje po e paraqiste këtë nisëm para Parlamentit të Bullgarisë.

“Të fshehësh pjesë të historisë vetëm për shkak se ato janë të këqija për demagogjinë e shtetit, është një gjë e turpshme”, u shpreh Volen Siderov, kryetar i partisë së vetëquajtur “patriotike” bullgare.

Ndërkohë që Lyutvi Mestan, drejtues ky kryesor i partisë së pakicës turke në Bullgari, të quajtur Lëvizja për Liri dhe të Drejta, nënvizoi se “parlamenti nuk është institucion i ngarkuar me përcaktimin e të vërtetave historike”.

Ndryshe, në Bullgari aktualisht jetojnë afro një milionë nënshtetas me kombësi turke, duke qenë kështu pakica më e madhe në vend.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›