E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vritet gazetari i TV France

Gazetari i televizionit France 2 është vrarë të mërkurën gjatë një sulmi raketor në qytetin Homs, në Sirinë qendrore, deklaroi fotografi i agjencisë franceze AFP i cili ndodhej në vendngjarje. Lajmi është konfirmuar edhe nga Ministria e Jashtme e Francës.

Gazetari televiziv Gilles Jacquier përfitoi një rast të rrallë për gazetarët perëndimorë, që me lejen e pushtetit sirian të hynte në vend dhe të raportonte për protestat kundër regjimit të presidentit Bashar al-Assad.

Sipas fotografit francez, një granatë ra afër një grupi gazetarësh, të cilët po bënin një reportazh për Homsin.

Është ky gazetari i parë evropian që vritet në Siri që nga fillimi i protestave kundër qeverisë, më 15 mars 2011.

Gjatë këtij sulmi janë plagosur edhe disa gazetarë të tjerë, numri i të cilëve nuk dihet. Dihet se njëri nga ta është gazetar nga Belgjika, dhe se ai ka pësuar plagë në sy, precizoi fotografi i agjencisë France Presse.

Ministria siriane e Informatave ndërkohë njoftoi se ka njohuri për incidentin në Homs, megjithëse nuk posedon detaje tjera shtesë.

Homs është një prej bazave të opozitës siriane që po kërkon dorëheqjen e presidentit al-Assad. Sipas vlerësimeve të OKB, në protesta deri më tani janë vrarë mbi 5,000 njerëz. Grupi monitorues britanik Observatory for Human Rights ka njoftuar të mërkurën se regjimi sirian ka nisur një valë të re dhune. Grupi pohon se ushtarët e regjimit po vazhdojnë të konfrontohen me ish-pjesëtarët e dikurshëm të kësaj ushtrie në provincën qendrore Hama. Grupi i gazetarëve dhe kameramanëve po e vizitonte të mërkurën Hamsin me leje të pushtetit, edhe pse ai zakonisht kufizon lëvizjen e gazetarëve të huaj në vend.

Sipas organizatës siriane për të drejtat e njeriut, në këtë sulm, përveç gazetarit francez janë vrarë të paktën edhe gjashtë sirianë.

Që nga koha e fillimit të rebelimit, para 10 muajve, e deri më tani, pushteti sirian ka refuzuar të gjitha kërkesat e gazetarëve të huaj për hyrje në vend.

Ministri i Jashtëm francez, Alain Juppe, ka konfirmuar përmes një komunikate se, Jackuier është vrarë “gjatë sulmit në Homs”, duke e quajtur vrasjen e tij si një “akt të neveritshëm”, dhe duke kërkuar hetimin e saj.

“Iu mbetet autoriteteve siriane që të mundojnë sigurinë për gazetarët e huaj në territorin e tyre dhe të mbrojnë lirinë elementare të informimit”, theksoi Juppe.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›