Kurti:Kosova fiton vetëm nëse ndërpret bisedimet
Bisedimet me Serbinë që po zhvillohen në Bruksel janë të padrejta dhe shumë të rrezikshme. Kosova fiton në këto bisedime vetëm nëse i ndërpret ato. Kështu ka deklaruar lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një konferencë për mediat.
“Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri e pranoi që bisedimet në Bruksel ajo i quan "dialog teknik midis Kosovës e Serbisë", mirëpo Bashkimi Evropian si ndërmjetësues në këto bisedime i quan ato "dialog midis Kosovës e Serbisë". Pra, BE-ja nuk i quan "dialog teknik" por vetëm "dialog". Territori i çështjeve të diskutuara në Bruksel është gjithnjë Kosova dhe vetëm Kosova. Diskutimet për temat si regjistrat e gjendjes civile, librat kadastralë, energjia apo telekomunikacioni i janë referuar territorit të Kosovës dhe vetëm atij. Prandaj, në bisedimet në Bruksel qartazi po negociohet me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës”, tha Kurti në fjalën e tij.
Duke komentuar gatishmërinë e Tahirit për marrjen edhe të kopjeve të regjistrave të gjendjes civile, Kurti ka deklaruar se “ky është kompromisi i parë që rrezikon të bëhet marrëveshje dhe të nënshkruhet në raundin e ardhshëm të bisedimeve”.
Ai e ka bërë përgjegjës kryeministrin Hashim Thaçi “për axhendën, sajimin e kontekstit të bisedimeve dhe renditjen e temave aty”, kështu që, sipas Kurtit, kryeministri “do të duhej që të japë llogari se çfarë ka biseduar dhe si është marrëveshja me Robert Cooperin për këto tema dhe radhitjen e tyre”.