“Taksa marksiste i duhet Ramës për grupin e biznesmenëve që s’e sponsorizojnë më”
Kryeministri Berisha, më herët i ka cilësuar propozimet e Edi Ramës “fantazi bajate dhe boshe”
Kryeministri Sali Berisha është shprehur më herët se Edi Rama kërkon taksimin progresiv, jo për të ndihmuar ekonominë dhe gjallëruar biznesin, formulë që nuk ndihmohet nga ky model i sistemit të taksave, por për të kontrolluar dhe shtirë në dorë biznesmenët e Partisë Socialiste, të cilët që prej humbjes së bashkisë së Tiranës, nuk e sponsorizojnë më.
Sipas kryeministrit, Rama nuk shqetësohet për xhepat e qytetarëve, por përmes ndryshimit të ligjit të taksës së sheshtë me taksën progresive, kërkon të vjelë ata të cilët tashmë si kontrollon dot më si dikur, shpurën e biznesmenëve pranë PS-së.
“Unë ju garantoj që zoti Rama këtë problemin e taksës progresive, nuk e ka për gjë tjetër veçse për atë grupin e biznesmenëve të tij, që tani nuk e sponsorizojnë më, që kur iku nga bashkia. Tani edhe drekat që shtron rroftë Gjushi se nuk i afrohen më as Fideli dhe as ata të tjerët, të cilët nuk japin më asnjë kacidhe, sepse nuk ka më leje duke bllokuar lejet e të tjerëve, por kjo nuk mund të na udhëheqë ne. Politika nuk bëhet me inate, as me kundërshtia. Se deri dje, sa ishte kryetar bashkie nuk e përmendi ndonjëherë taksen progresive. A pati ai ndonjëherë ndonjë program për bashkinë e Tiranës, a e dëgjuat ju ndonjëherë të thotë se do të rrisë taksat? Asnjëherë. Pra si përfundim politika e tij e taksave është furtunë në një gotë ujë, e cila më shumë kërkon të frikësojë një grup që s’mund ta kontrollojë më, sepse në fakt, ata e kanë kontrolluar gjithmonë atë, por përsëri ishte reciproke, ndërsa tani nuk kanë më ndonjë pasion për të”, u shpreh kryeministri Berisha pak ditë më parë, duke hedhur poshtë kështu, propozimin e Partisë Socialiste për zëvendësimin e taksës së sheshtë me taksën progresive.
Për kreun e qeverisë, modeli ekonomik në vend ka rezultuar i suksesshëm, sepse bazohet te taksat e ulëta dhe nxitja e investimeve.