E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush do ta ndalë dhunën në Lindjen e Mesme?

"Para një viti, ndërsa po pija ujë, ti më dole atje poshtë vijës së ujit dhe më turbullove ujin,"i thotë ujku një qengji gjashtëmuajsh. "Prandaj unë kam të drejtë të të ha.”
- "Ujk i nderuar! Ti je i pari ynë, bën ç'të duash, por si mund të turbullohej uji yt kur unë isha më poshtë rrjedhës së ujit, për më tepër përpara një viti unë nuk kisha lindur.”
- Nuk di gjë - thotë ujku. Nuk dua të hyj në detaje, unë di që ti më ke shkaktuar dëm dhe unë kam të drejtë të të ha…”
Me këtë mendësi, ndoshta më qesharake e tragjike se kaq, Izraeli pushton, dhunon, shkatërron, vret e plaçkit palestinzët, libanezët e "cilëtdo që mendon se i kanë turbulluar ujin e vet.”
Zona është rikthyer që moti në luginë ujqish, ku, kush për fe e kush për rracizëm, kush për pushtet e kush për interesa të rëndomta, kush përt të shitur armë e kush për të mbijetuar janë përfshirë në një dramë që s'jep asnjë shenjë të mbarojë së afërmi. Jo vetëm këta, por dhjeta analistë e vëzhgues, kopetentë dhe këshilltarë, plangprishës dhe sehirxhinj janë pjesë e pandashme e këtij skenari që të turpëron që je njeri.
Anembanë vërtiten njerëz të shitur plotësisht tek djalli, të cilët godasin, thyejnë, vjedhin e grabisin, u bëjnë presion ndërgjegjeve, u mohojnë të drejtat, hedhin poshtë sistemet pozitive dhe në vend të tyre thurin despotizma, ulërijnë me neveri e urrejtje, derdhin gjak; e si përfundim këmbëngulin se të gjitha këto i bëjnë në emër të vlerave njerëzore. Në emër të vetmbrojtjes, të paqes, të sigurisë globale e sa e sa përrallave të tjera…
Nga ana tjetër civilët palestinezë dhe libanezë janë në fokus të bombardimeve të legjitimuara të ushtrisë izraelite dhe askush nuk po hedh një hap konkret për t'i ndaluar.
Dhjetra njerëz humbin jetën çdo orë, ndërsa shprehjet irrituese, që dalin prej gojëve zyrtare, "Ata filluan të parët, marrja peng e ushtarëve izraelitë ishte një gabim i madh, Hisbullahu fshihet këtu e aty.. është themeluar në këtë vit etj, etj,"vçse nxjerrin statistika që askush nuk i beson, por që fatkeqësisht askush nuk bën dot më shumë se aq.
Palestina digjet flakë. Dhe s'është hera e parë. Pas banesave të bombarduara nga raketat ngrihen shtëllungje sterrë të zinj tymi. Diku një fëmijë me lot në sy, një grua e plagosur që s'di kë të qajë më parë, pak më tej një plak që e ka humbur torruan nga ç'i shohin sytë, ndoshta me habinë se s'i ka arritur të jetojë kaq gjatë, janë skena që megjithëse mbushin me lot sytë e të gjithë atyre që kanë sadopak ndjenja njerëzore, nuk mjaftojnë që ata që përfaqësojnë sot fuqinë në botë t'i thonë ndal kësaj tragjedie. Dhe shkatërrimtarët, vrasësit, despotët, trafikantët, sharlatanët vazhdojnë të hedhin valle pa e prishur qefin fare. Këta nuk janë vetëm izraelitë, fare mirë mund të jenë edhe tradhëtarë palestinezë, mund të jenë edhe trafikantë sirianë, edhe përçarës iranianë edhe interesaxhin të shitur sauditë. Në të njëjtën kohë ata mund të jenë dhe janë edhe Kështu…edhe Ashtu …, secili ka pjesën e vetë.
Këta sa herë që hapin gojë nuk thonë gjë tjetër vç çlirimit e rindërtimit duke nxjerrë në pah të "drejtën e tyre"për të ndërhyrë. Për më tepër, për ta justifikuar sa më bindshëm sulmin e tyre shpikin lloj-lloj paranojash: përmend "central nuklear"dhe sulmon dikë, thotë "kërcënimi i zi"dhe e heq qafe një tjetër, shpik "prapambetje"dhe nxjerr ligje të pahasura edhe në tiranitë më të egra të së kaluarës; e kështu vazhdon derisa përfundimisht trondit nga themelet ekuilibrin e domosdoshëm të shoqërisë. Për t'i dhënë vijueshmëri padrejtësive dhe për të lejuar kryengritjen ata futen në demagogji të ndryshme, e po qe nevoja e ndërrojnë të tërë kushtetutën. E kur është nevoja për të ndërhyrë, kur njerëzit humbin jetën, nuk e shohin të arsyeshme.
Ata që vuajnë janë përsëri civilët, janë edhe njëherë fëmijët, janë sërish gratë dhe pleqët. Ndërkohë disa mendjelehtë bëjnë lojën e pushtuesit duke e ngacmuar atë në momentin kur ai "premton të tërhiqet”, kuptohet nëse edhe kjo nuk është e inskenuar.
Faktikisht Palestina me Libanin dhe të tjera shtete të rajonit, në vetëdije të gjendjes, po bëjnë thirrje për armëpushim, por zëri i tyre duket se ka rënë në vesh të shurdhër. Është për të ardhur keq, sepse armëpushimi i pranuar edhe në sistemet më arkaikë të marëdhënieve ndërpalëshe, sot injorohet dhe neglizhohet me gjakftohtësinë më fodulle. Ndërsa dhunuesi pa minimumin e humanizmit apo ndjenjave njerëzore shpalos karakterin e vet.
Plangprishësi nuk ka respektuar kurrë asnjë sistem. Ai, ngaherë është sjellë sipas kokës së vet dhe ka vepruar si anarkist.
Në të vërtetë arkitekti i terrorit në shtrirje gjeografike të ndryshme është vetë ai. Ai është që nxit me ngulm prishjen dhe shkatërrimin në rruzullin tokësor. Është ai që derdh gjakun e të pafajshmëve, është ai që i përngjason me të vetat rregullat ndërkombëtare për të formuar diktatoriatin e tij. Ai është katili i njerëzimit dhe shkatërruesi i qytetërimit vetëm për llogari të xhepit të vet. Ai është shkaktari i turbullirave politike, administrative, ekonomike dhe kulturore.
Fatkeqësisht, lufta kundër terrorit, siguria ndërkombëtare vendoset vetëm sipas interesave të disa shteteve. Drejtimin e ngjarjeve e përcakton forca dhe jo drejtësia, ligji, dhe as morali. Demokraci si në Irak do të ishte një prej batutave të fundit të rretheve më të larta diplomatike të botës. Përfundimi, vetëm batuta, e më pas të tjera hesape. Askush s'çan kokë se vriten njerëz derisa një ditë e keqja të vijë në derë.
Përse nuk ndalet terrori izraelit sikurse ai taleban, apo ai në Irak, ose më parë në Somali etj, etj. Pyetje retorike. Më falni!
Ushtria izraelite filloi dhunën dhe shkatërrimin me preteksin se i morën peng një – dy ushtarë. Çfarëdo të pretendojë, Izraeli është pushtues dhe pikë. Nuk justifikohet vrasja e qindra civilëve se më erdhën disa shashka në territor. Gjithsesi duhet pranuar që nga të dy krahët ka përçarës e nxitës të luftës, ka të tillë që duan që ajo luftë të mos mbarojë.
Nuk fajësoj aspak popullin izraelit, nuk është e drejtë, për viktimat e të cilit në luftën e dytë botërore ndjej të njëjtën keqardhje, por dënoj dhe duhet të dënojmë klikat e prishjes dhe shkatërrimit që s'druen ta shohin botën në flakë qoftë edhe për të ndezur një cigare. Me siguri që nuk është asnjë popull që meriton të fajësohet për të gjitha këto trazira dhe të ngjashme me to, por grupime të ngushta interesi që katandisin njerëzimin për të përmbushur planet e tyre.
Shkatërrimtari vçse bën detyrën e të qënit i tillë. Po luftën kush do ta ndalojë? Pikërisht kjo pyetje vazhdon të mos ketë përgjigje, megjithëse OKB' ja, Konferenca Islamike e shumë e shumë institucione janë sjellë në jetë për këto çështje, për këto ditë. Detyra kryesore e tyre është të ndalojnë luftërat. Por ku janë? Asnjë zë nga shtetet e mëdhenj. Ndërsa ndërgjegjet njerëzore nuk mund të heshtin. Ato ndiejnë. Së paku ka njerëz që bëjnë thirrje për djalog. Ç'ti bësh se sot nuk na ngelet gjë tjetër vçse dy tre rreshta dhe disa lutje me sytë drejt qiellit që lufta të mbarojë, që bota të gjejë paqe, që lotët e mijëra njerëzve të pushojnë..!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›