Teuta, me Dinamon fitore për kreun dhe titullin

Kur Teuta fitoi 3-1 me Dinamon në Tiranë, në ndeshjen e parë të kampionatit, gazetari i njohur sportiv Lirim Zalla pohoi në "Skaner Kampionat" se ekipi durrsak, ndryshe nga një sezon më parë u shfaq si pretendenti kryesor për titull. Me 21 pikë të grumbulluara dhe vendin e dytë në renditje, ekipi i Starovës kërkon të përfitojë në maksimum nga përballja e dy të mëdhenjëve, ku një barazim midis Tiranës dhe Elbasanit, e kombinuar kjo dhe me fitoren e Teutës ndaj Dinamos, do ta "katapultonte" skuadrën e presidentit Hasanbelliu në vendin e parë. Teuta ka fituar vetëm një titull kampion në sezonin 1993-1994, ndërkohë që "blutë" kryeqyetatas kanë në muzeun e tyre 16 trofe, ku i fundit i përket pesë viteve më parë, 2001.
Pa humbje
Teuta është ekipi i vetëm në Kategorinë Superiore që nuk ka pësuar humbje, ndërkohë që Dinamo është ekipi i vetëm që nuk ka mundur të marrë qoftë edhe një pikë në ndeshjet në transfertë. Teuta është një nga ekipet që ka pësuar më pak gola dhe kjo falë vendosjes së mirë taktike të lojtarëve në fushë. Vetëm 8 gola të pësuar nga durrsakët flasin shumë për strategjinë e trajnerit Sulejman Starova. E kundërta ndodh me Dinamon: 15 gola të pësuar dhe 6 humbje në 11 javë. Më shumë se gjysma e ndeshjeve të humbura, e shoqëruar edhe me pafuqishmërinë në fushat kundërshtare. Edhe shkarkimi i Sejdinit dhe zëvendësimi i tij me futbollistin-trajner Redi Jupi, nuk mundi ta evitojë këtë traditë. Ndeshja e fundit e humbur e Dinamos në transfertë është ajo me Apoloninë (1-0) me një gol të pësuar në dy minutat e fundit të takimit.
Roli i Xhafaj
Teuta e ndjeu më shumë se cdo herë tjetër mungesën e sulmuesit vlonjat Daniel Xhafaj, sezonin e kaluar, kur skuadrës durrsake të drejtuar nga tre trajnerë (Lika, Nica, Ferko) iu desh ta siguronte qendrimin në Superligë pas ndeshjes së "play-out" me Skëndërbeun. Xhafaj, sezonin e kaluar luajti në kampionatin zvicerian me "Xamax Neuschatel", dhe rikthimi i tij te Teuta, ishte sinjali i parë se presidenti Hasanbelliu kërkonte mospërsëritjen e "dramës" së një sezoni më parë. Xhafaj është autori i shtatë golave të shënuar nga ekipi i Teutës, që në total ka shënuar 15 gola. Roli i tij është shumë i rëndësishëm, mjafton të përmendësh faktin se u ka shënuar dy gola ish-ekipit të tij, Dinamos, në ndeshjen e hapëse të kampionatit.
Pa agresivitet
Dinamo ka humbur shumë nga fuqia sulmuese, kjo dhe për faktin se si sulmues të mirëfilltë ka vetëm senegalezin El Haxhi Gudjabi, të mbështetur nga Ilir Qorri. Reparit i avancuar i Dinamos është sulmi i dytë më i dobët i kampionatit, pas Luftëtarit. Vetëm 11 gola në 11 ndeshje për blutë. Gudjabi, që shënoi sezonin e kaluar 16 gola (më i sukseshmi nga lojtarët e huaj), ka mundur të shënojë vetëm 2 gola gjatë fazës së parë dhe "shigjetat" e trajnerit Redi Jupi janë drejtuar në mënyrë të direkte drej tij. Senegalezi humbet shumë raste të pastërta në zonë dhe ka humbur dhe shpejtësinë e veprimeve sulmuese që e karakterizonte.
Asnjë i skualifikuar
Në prag të sfidës me Teutën, trajneri i Dinamos është i qetë. Asnjë lojtar nuk është i skualifikuar, ndërkohë që mbrojtësi Enkel Aliklaj vazhdon stërvitjen e diferencuar. Te Dinamo pritet të jetë në fushë edhe kroati Goran Vincetic i larguar ditë më parë për një "mision" shtëpiak. Në fakt të gjithë e konsiderojnë një ndarje të parakoshme të mesfushorit të djathtë, edhe pse kontrata e tij përfundon në muajin janar. Lajmet fundit që vinë nga Dinamo flasin për një rekrutim të ish-sulmuesit të Tiranës, Eldorado Merkoci dhe një rikthim të beratasit Vangjel Mile, kontrata e të cilit me ekipin e kategorisë së dytë norvegjeze, Konsfinger ka përfunduar, ndërkohë që klubi nuk ka vendosur ende për rinovimin e lejës së punës.
Faza e parë
Dinamo - Teuta 1-3
Shënues: Ahmataj 55' (11-m) / D.Xhafaj 20', 41', Mancaku 67'
E shtunë, 26 gusht 2006, ora 17:00, në stadiumin "Selman Stërmasi", Tiranë
Bilanci ndermjet tyre: 117 ndeshje, 56 fitore Dinamo ( e fundit 18.03.2006 2-0), 37 barazime ( i fundit 01.05.2004 2-2), 24 fitore Teuta ( e fundit 26.08.2006 3-1), gol. 178-96