Shqipëria, vend prioritar për Italinë
Haxhinasto-Belloni
“Shqipëria është vend prioritar për projektet e Bashkëpunimit italian dhe do të vazhdojë të mbetet i tillë edhe në të ardhmen”, kështu është shprehur Drejtoresha e Përgjithshme e Bashkëpunimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Elizabeta Belloni gjatë një takimi me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Punëve të Jashtme Edmond Haxhinaston. Në këta takim ministri Haxhinasto shprehu nevojën e mbështetjes italiane për përfshirjen e Shqipërisë në rrjetet energjetike pan-evropiane, në veçanti për projektet në kuadrin e Korridorit 8 dhe gazsjellësit TAP (Trans Adriatic Pipeline). Gjithashtu zëvendëskryeministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të partneritetit strategjik mes dy vendeve tona, të cilat kanë një dimension të rëndësishëm ekonomik, si edhe kontributin e madh të qeverisë italiane në Shqipëri. Në fjalën e tij zëvendëskryeministri njëherësh ministri i Jashtëm, Haxhinasto vuri theksin në domosdoshmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit edhe në fusha e projekte të tjera prioritare për vendin tonë, si energjia, turizmi, bujqësia, promovimi i SME-ve, etj. Nga ana e saj Drejtoresha e Përgjithshme e Bashkëpunimit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Elizabeta Belloni nënvizoi nevojën e rritjes së efektivitetit dhe cilësisë së këtij bashkëpunimi dhe shtrirjes së tij në të gjitha fushat e tjera me interes të ndërsjellë.
...