E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta e posaçme e shkrimtarit

William Faulkner

Nuk e pranoj çmimin si njeri, i takon veprës sime – një jete punë në guroret e dhimbjeve të forta, në tokat e mundimeve të shpirtit njerëzor, jo për lavdi dhe aspak për pasuri, por për të krijuar nga këto lëndë çka nuk ka gjalluar më përpara.
E shpërblimi më përket vetëm në kuptimin e besimit.
Pa fijen e zorit mund të përpilohet mirënjohja për anën tjetër të tij, paranë, në përpjestim të drejtë me qëllimin, domethënien e burimit të saj.
Veç do të më pëlqente të sillesha njësoj edhe ndaj miratimit me brohorima, duke e shfrytëzuar këtë rast si faltore prej ku të më dëgjonin të rinjtë e të rejat, që tashmë i ka pushtuar ky ankth i madh: mes tyre gjenden fitimtarët e ardhshëm.

* * *
Sot tragjedinë tonë e shkakton frika trupore e përgjithshme, e gjithësishme, e sfiduar deri tani me paepshmëri, ndaj edhe ne mund t’i bëjmë ballë për bukuri.
Janë harruar hallet e shpirtit. Vendin e tyre e ka zënë pyetja: ku do të bëhem copë e çikë?
Kështu, tani të rinjtë e të rejat që shkruajnë, nuk e dinë se ku bie me shtëpi brenga e zemrave kryengritëse, të vetmet gjëra që mund të mëkojnë krijimtari të arrirë, sepse vetëm për këto ia vlen të shkruash, ia vlen të vuash, ia vlen të sfilitesh.
Duhen nxënë përsëri.
Do mësuar që themeli i të gjitha gjërave është të pasurit frikë; dhe me t’u marrë vesh, kjo harrohet përjetë, nuk lihet vend për asgjë në punishten vetjake, duke e kthyer atë në strehën e dëshmive, e të vërtetave plaka të zemrës, e të vërtetave plaka të gjithësishme – dashurisë, nderit, mëshirës, dhembshurisë e flijimit, pa të cilat çdo rrëfim do ta kishte jetën të shkurtër, do të tretej si vesa e mëngjesit.

* * *
Derisa të veprohet kështu, djersa derdhet nën peshën e mallkimit.
Nuk shkruhet për dashurinë, por për epshin, për disfatat ku askush nuk humb ndonjë gjë me vlerë, për fitore pa shpresa dhe, ç’është më e keqja, pa mëshirë. Trishtimet nuk trishtojnë më, nuk lënë asnjë vragë. Nuk shkruhet për zemrën, por për tualetin.
Po të mos rimësohen këto, do të shkruhet sikur të jesh mes qeniesh, duke soditur fundin e tyre.
E shpall me të madhe se nuk e pranoj fundin e njeriut.
Një fjalë goje është të thuash se njeriu na qenka i pavdekshëm ngaqë do të duroka; ngaqë, pasi të ketë rënë tiktaku i mbramë i fundit të botës, pasi të jetë shuar me shkëmbin e mbramë më të pavlerë në zjarrin e mbrëmjes së mbrame, do të mbijetoka tingulli i zërit të vockël, të pashtershëm të njeriut, që folka përsëri.
E hedh poshtë këtë mendësi.
Jam i bindur se njeriut nuk i hyn në sy durimi. Njeriu ka për të sunduar. Pavdekshmëria e tij nuk buron nga zëri pashtershëm, por nga fryma, nga shpirti, që janë në gjendje të dhembim, të flijohen, të durojnë.
Poetit, shkrimtarit i mbetet detyrë të shkruajë për to.

* * *
Poeti, shkrimtari gëzon të drejtën e posaçme për ta ndihmuar njeriun që të durojë, duke i dhënë zemër, duke i sjellë ndër mend guximin, nderin, shpresën, krenarinë, dhembshurinë, mëshirën, flijimin: lavdinë e të shkuarës së tij.
Poeti, shkrimtari nuk duhet të japë thjesht shëmbëlltyrën e njeriut.
Poeti, shkrimtari është buka e përditshme e njeriut, shtylla e ngadhnjimit, e mbretërimit të njeriut.

Përktheu Ukzenel Buçpapaj

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›