E Shtunë, 31 Tetor 2026

Me këto fjalë…

Kim MEHMETI

Po, mu këto fjalë ia thashë Lules asaj dite.
Aq më bënte për gjatësinë e rrugës, që të çonte deri në vdekje dhe për ecjen e mundimshme aty, përderisa ngrihesha me puthjet e Lules. Dhe ndoshta shumë shpejt do të vdisja i lodhur nga dashuria në Vjenë.
Aq keq u qortuam, sa menjëherë e kuptova se ishte marrëzi e shkuar marrëzisë të udhëtoja deri në vdekje me një vashë, të cilën e hidhëronte çdo shikim imi drejtuar kah ndonjë femër tjetër.
Vashë, që nuk e ka kuptuar se nuk ekziston qengj, të cilin nuk do ta pëlqente ujku! A merrej ajo rrugë aq e gjatë dhe e lodhshme deri në vdekje me të!
Po, pra, e lodhshme ajo rrugë me Lulen, ngushëlloja veten në kupenë e ngushtë të trenit, ku ëndërroja këngën e dallëndysheve mbi lumin e fëmijërisë sime, jehonë e zërit të faqekuqeve në fshatin tim, që i gëzoheshin agsholit të hershëm.
U ndamë sikur të mos kishim qenë kurrë bashkë.
Shpejt e harrova. Ndërkohë, edhe shumë të tjerave ua dhashë të njënjtin betim, i dehur nga puthja e parë që më dhuronin. Ajo dehje më bënte të harroja se hapësira, që ndan puthjen e tyre dhe vdekjen, quhet jetë. Se ajo hapësirë është përplot ngushtica, që ngarkon barrë të rëndë dhe nuk ka as freskinë, as nektarin e puthjes së parë.
Pas shumë vjetësh, duke shëtitur i vetmuar buzë Senës, më ra në sy shtati i bukur i një vashe, që ecte disa hapa para meje.
Unë vetëm, ajo vetëm.
Mundësi e mirë t’i shpallnim luftë vetmisë në dhomën time të hotelit, thashë duke shpejtuar hapat që ta arrija.
Dhe u shtanga. Ishte Lulja ime e dikurshme.
Edhe asaj iu prenë këmbët. Tani edhe më e bukur se dikur. Në krahun e djathtë kishte bërë tatuazh betimin tim të rrejshëm.
Posa nisa t’ia ledhatoja krahun, filloi t’i qërohej lëkura dhe t’i shndërrohej në fjolla bore, që binin mbi trotuar. Fluturuan dy pëllumba dhe filluan të hanë lëkurën e krahut të saj. Përnjëherësh, njëri prej tyre flatroi dhe u përplas mbi një veturë, që kaloi aty pari me të shpejtë. Oh, klithëm unë dhe Lulja. Harruam pëllumbin tjetër, që qëndronte pranë këmbëve tona.
Lulja mori pëllumbin e vdekur në dorë dhe u largua, duke dënesur.
Mbeta vetëm me pëllumbin e dytë që, papritur, filluan t’i piknin të gjitha pendlat nga trupi. Për një çast, mbeti cullak. Dhe u zhduk nën gjethet e thara që mbulonin trotuarin. U shndërrua në mi! Lule... Lule... thërrisja pas saj.
Në çastin kur doja t’i thoja zëshëm: ndoshta nuk do të jem yti gjithmonë, por do të të kujtoj deri në vdekje, ajo u zhduk në tollovinë e kalimtarëve.
Fjalët më ngelën thellë në vetëdije dhe ende dëgjoj jehonën e tyre, si kanosje e disa kohëve të mia të vdekura.

25 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›