E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e ka fajin për pasaportat?

Kush ka lindur në Greqi, sa herë paraqitet në sportelet e policisë kufi tare fqinje, haset me problematikën e emërtimit
të vendlindjes. Në praktikën e zyrave të gjendjes civile të shtetit shqiptar, prej nga merret dokumentacioni për plotësimin e pasaportës, toponimet e vendeve të huaja ku kanë lindur shtetasit shqiptarë, bëhen siç emërtohen në gjuhën shqipe. Për shkak të numrit të vogël të shqiptarëve të lindur jashtë vendit, deri vonë ky problem ka qenë gati inekzistent. Por së fundmi është kthyer në pengesë për lëvizjen e fëmijëve të lindur jashtë, duke marrë pamje akute me Greqinë.

Po a është kaq i vështirë ky problem? Aspak, në rast se ekziston vullneti i mirë mes palëve. Ky nuk është një rast i pahasur në botë. Ja si e udhëzon Departamenti i Shtetit i SHBA, trupën konsullore, në volumin 7, të manualit të këtij shërbimi:

“Qyteti i lindjes së shtetasit amerikan, kur ky ka lindur jashtë territorit të SHBA, shkruhet në pasaportë në bazë të transliterimit që i bën emrit të vendlindjes së aplikantit, Zyra Gjeografike e Departamentit të Shtetit. Nëse qytetari, kërkon vizë pranë autoritetit konsullor të shtetit nga ka prejardhjen, por ky nuk e pajis për shkak të pretendimeve që ka për emërtimin e vendlindjes, atëherë Departamenti i Shtetit, e pajis me një pasaportë të re, me emërtimin e vendlindjes ashtu siç është pretendimi i shtetit i cili ka sovranitetin mbi të. Nëse një shtetas amerikan i lindur në vend të huaj, kërkon të vizitojë vendin e origjinës, dhe nuk kërkohet vizë për të hyrë në të (siç rasti ynë me Greqinë) por autoriteti kufitar nuk e lejon, pasi vendlindja e shkruar në pasaportë nuk përputhet me emrin që përdor autoriteti vendas, dhe pavarësisht ndërhyrjeve të autoritetit konsullor të SHBA të akredituar në atë vend, nuk mundet të gjendet një rrugëzgjidhje, atëherë shtetasi amerikan, pajiset menjëherë me pasaportë, ku vendlindja është e shkruar sipas pretendimeve të palës që ka sovranitetin mbi vendorigjinën e shtetasit të lindur në territor joamerikan. Tarifa e pagesës për zëvendësimin e pasaportës, është e njëjtë sikur aplikon zakonisht”.

Pra, është një praktikë e zakonshme që vende me flukse zhvendosjesh popullate më të mëdha dhe të hershme se tonat, i kanë zgjidhur nga ana teknike dhe janë praktikë standard e çdo shërbimi konsullor. Edhe një superfuqi si SHBA, është e mirëkuptueshme ndaj problemeve të tilla. Dhe bëhet fjalë për një gjuhë si ajo angleze, që është praktikë në dokumentet ndërkombëtare.

Nëse do marrim në shqyrtim rastin grek, nga pikëpamja e praktikës ndërkombëtare, pala greke është në të drejtën e saj. Cila do të ishte zgjidhja për shqiptarët? Meqenëse bëhet fjalë për mijëra shqiptarë të lindur në Greqi, dy shërbimet konsullore duhet të lidhin marrëveshje si do të veprojnë me toponimet greke në pasaportat shqiptare të shtetasve të lindur në tokën greke. Së bashku me një listë, duhet përcaktuar në cilën gjuhë do të bëhet emërtimi i vendbanimeve greke. Mund të përzgjidhet anglishtja. Por edhe nëse fqinjët tanë do të kërkonin emërtimet amtare, janë në të drejtën e tyre. Nëse do të ekzistonte vullneti i mirë, ana ligjore zgjidhet brenda muajit.

Elementi i dytë, është aspekti material. Gjithë shtetasit shqiptarë të lindur në Greqi dhe të pajisur me pasaporta ku toponimi grek është shkruar si ia ka marrë mendja nëpunësit shqiptar, duhet të pajisen me pasaporta të reja. Në këtë rast duhej të aplikohej e njëjta tarifë si për pasaportën e parë, edhe për faktin e thjeshtë se, derisa vepron në këtë mënyrë SHBA, shtet më i pasur se ne, atëherë edhe ne nuk kemi pse penalizojmë emigrantët.

Por po bëhen dy vjet që shqiptarët po rropaten dyerve të doganave. Pas “prishjes së kompjuterave”, preteksti çerekshekullor i doganave greke, emigrantët shqiptarë po ballafaqohen me një problem tjetër, si ky i toponimeve në pasaporta. Ka ardhur koha të sqarohet, nëse ky problem vjen nga pala shqiptare, apo pala greke për arsye politike e zvarrit me qëllim. Në rastin e parë, është detyrim, që shteti të jetë transparent me problemet dhe mos ta mbulojë inkompetencën me argumentin bajat të fshehtësisë diplomatike. Në të kundërt, do të ishte një test, për të parë se problemi i toponimeve është një teknikalitet i vështirësuar artificialisht që përdoret politikisht nga pala greke.

(GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›