E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Alpbach 2013” hap dyert, Basha konfirmon pjesëmarrjen

Rreth 40 studentë e profesionistë të fushave të ndryshme nga Shqipëria e Kosova po marrin pjesë në Forumin Europian “Alpbach 2013” – “Eksperienca dhe Vlera”, që hapi dyert e tij këtë fillimjave në qytetin malor tirolez të Alpbach, Austri.
Në këtë forum, që zgjat deri më 30 gusht 2013, pritet edhe prezenca e Kryebashkiakut të Tiranës, z. Lulzim Basha. Edhe profesori nga universiteti “Luarasi”, Mustafa Muci pritet të jetë prezent. Ndërsa ka interes ndër personalitetet botërore për fjalimin e Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso dhe Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, që do të vijnë në ceremoninë mbyllëse të këtij aktiviteti prestigjioz.

Ky forum do të trajtojë temat më të nxehta rreth integrimit europian dhe do të jetë një miksim simpoziumesh mbi shkencën, artin, kulturën, politikën, ekonominë e të tjera. Ajo që bie në sy këtë vit, është se perspektiva kulturore dhe artistike e integrimit do të jetë pjesë esenciale e këtij aktiviteti.

Drejtori Ekzekutiv i këtij forumi, z. Philippe Narval thotë për “Gazetën Shqiptare”, se midis shumë aspekteve, “është për t’u nënvizuar se Forumi Europian Alpbach u krijua për t’iu kundërvënë tendencës së nacionalizmit, për ta kaluar atë dhe për të krijuar një identitet dhe një bazë të njëjtë europiane.”
Duke parë prezencën shqiptare në këtë forum, ai tha se “ne e konsiderojmë veten tonë (Forumin) Europian dhe qasja jonë është globale. Por është e natyrshme që edhe Shqipëria të jetë pjesë e këtij forumi. Pjesëmarrësit nga Shqipëria janë ndër studentët më të zgjuar dhe më të talentuar.”

Blerta Bajrami, 24 vjeçe, e diplomuar në gjuhën-kulturë-qytetërim gjerman, po ndjek në kuadrin e këtij forumi shkollën e verës për integrimin europian në gjuhën gjermane. Ajo thotë se “pjesëmarrja e saj në këtë forum u stimulua nga sfida që kanë përpara shqiptarët për t’u informuar për integrimin europian dhe për më tepër që është rinia që duhet të japë kontributin e saj në të.”
Gjithashtu edhe Dorina Zhupa, këshilltare ligjore e jashtme pranë Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, e cila po ndjek shkollën verore mbi integrimin europian, thotë se: “Unë e bëra këtë zgjedhje meqenëse Shqipëria është në rrugën drejt integrimit europian dhe, sa më shumë të dish për këtë proces, aq më e dobishme është.” Ajo shton se pritshmëritë e saj lidhen edhe me përfitimin e mendimeve të ndryshme rreth integrimit europian, si dhe krijimin e një rrjeti të gjerë kontaktesh, në sajë të takimeve me personalitete të ndryshme nga rajoni, Europa e bota.

Ky forum, që mbahet rregullisht çdo gusht që nga 1945-sa, përfshin 12 simpoziume, 1 javë seminare (16 seminare) dhe 5 shkolla verore. Shqipëria ka krijuar edhe Grupin e Iniciativës Alpbach (IG Albania), që promovon Forumin Europian Alpbach midis studentëve shqiptarë dhe i inkurajon ata të marrin pjesë në të. Brunilda Noka, presidente e “IG Albania” thotë se këtë vit Shqipëria vjen më e organizuar se më parë në këtë forum. “Kemi një prezencë më të madhe këtë vit në këtë forum; 16 studentë që kanë marrë bursa të plota. Ka pasur një kontakt më të madh me Forumin Europian dhe më shumë takime që kemi zhvilluar në Tiranë me prezencën e Dr. Erhard Busek.”

Që nga 2012-ta, Presidenti i Forumit Europian është Franz Fischler, ndërsa Erhard Busek është një nga presidentët honorifikë të kësaj shoqate. Forumi, që u nis si një nga aktivitetet e para ndërkombëtare intelektuale në Europë, feston 70-vjetorin e tij në 2015-ën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›