Hajde plumb te Daja!

BERAT- Policia e Beratit prangosi dje pronarin e ish-uzinës së baterive dhe të televizionit lokal “Vatra”, Pajtim Daja, pasi ushtronte veprimtari të paligjshme me pasoja për mjedisin. Blutë e Beratit bllokuan edhe aktivitetin tregtar të 51-vjeçarit Daja, i cili tanimë do të përballet me veprat penale “prodhim të kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave ushqimorë e industrialë”, si dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai u arrestua me vendim gjykate, pas urdhrit të dalë më datë 16 qershor të vitit 2008 prej Prokurorisë së Beratit. Ndërsa në momentin e ndalimit iu gjet në makinë edhe një pistoletë tip “Beretë”, të cilën ai e mbante pa leje. 51-vjeçari, lindur dhe banues në Berat, hetohej në gjendje të lirë, derisa gjykata dha ndaj tij masën “arrest me burg”. Sipas policisë lokale, arrestimi i tij u krye në bashkëpunim me forcat policore të Komisariatit të Elbasanit, të cilat udhëzuan blutë e Beratit që Daja po udhëtonte nga Elbasani drejt Beratit, me automjetin e tij tip “Benz” me targë FR 5120 C. Pas kontrollit në këtë automjeti, efektivët e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip “Beretë”, kështu që 51-vjeçarit iu shtua edhe akuza e “armëmbajtjes pa leje”. Daja, i cili ka në pronësi ish-uzinën e baterive në këtë qytet, kryen prej vitesh aktivitet të palicencuar në shkrirjen e metaleve të bardhë, si plumbi, i cili përfitohet prej shkrirjes së baterive të dala nga përdorimi etj., që shkaktojnë ndotjen e ambientit. Kryeprokurori i Beratit, Xhemal Saliasi, tha për gazetën, se Daja ishte prej kohesh në hetim nga prokuroria, pikërisht për ushtrimin e aktivitetit të tij të paligjshëm në periferi të qytetit, nga e cila ndotej e gjithë zona e lagjes “Uznovë” etj. Sipas tij, nga kontrollet e ushtruara, në punishten e 51-vjeçarit kryhej veprimtari e paligjshme gjatë natës. Sipas specialistëve të mjedisit, rrezet e plumbit shpërndahen në një sipërfaqe prej një 1.5 km. Disa herë banorët pranë ish-uzinës së baterive kanë protestuar, duke kërkuar ndërhyrjen e shtetit, për parandalimin e aktivitetit të kësaj ish-uzine. Burime nga bashkia bëjnë të ditur se disa herë Policia Bashkiake kishte bllokuar aktivitetin e Dajës, por ai e rihapte sërish.