Kush e strehoi Bin Ladenin?

Dëshmitë e reja për atë se Osama Bin Ladeni ka lëvizur nga një shtëpi në tjetrën në Pakistan, pas vitit 2001, janë edhe një indikacion tjetër për shtetin në hije, që vepron brenda ushtrisë dhe shërbimit të inteligjencës së Pakistanit-por nuk janë dëshmi për atë se presidenti aktual, Asif Ali Zardari apo paraardhësi i tij, Pervez Musharraf, kanë pasur njohuri për vendstrehimet e tij, kanë deklaruar ish dhe zyrtarë aktual amerikanë të inteligjencës.
Dëshmia e së bashkëshortes më të re të udhëheqësit të Al Qaedës, Amal Ahmad Fateh, duke përshkruar lëvizjet e Bin Ladenit në Pakistan, para se në vitin 2005 të strehohej në kompleksin e tij të fortifikuar në Abbottabad, është tejet e arsyeshme, deklaroi një zyrtar amerikan, i cili deshi të mbetet anonim. Detajet e reja të jetës së Bin Ladenit në arrati, të publikuara nga autoritetet pakistaneze javën e kaluar, sugjerojnë se elemente të shërbimit pakistanez për siguri shtetërore i kanë ndihmuar atij që të fshehët nga autoritetet shtetërore për një kohë më të gjatë, se sa që është menduar më herët, deklaruar zyrtarët amerikanë.
Megjithatë, një zyrtar amerikan theksoi se ende nuk ka dëshmi solide për atë se qeveria e Musharrafit ka pasur njohuri për vendstrehimet e Bin Ladenit.
Sipas Fatehut, në vitin 2003 Bin Ladeni dhe familja e tij janë vendosur në Haripur, një qytet i vogël në afërsi të Islamabadit dhe kanë jetuar aty, deri në momentin kur kanë shkuar në Abbottabad. Në periudhën kur Bin Ladeni ka jetuar në afërsi të Islamabadit, Musharraf po e zhvillonte luftën e tij personale kundër Al Qaedës. Me ndihmën e Pakistanit, SHBA-ja ishte në gjendje të kap Khalid Sheikh Mohammedin, planifikuesin ushtarak të Al Qaedës dhe ideatorin e vetëshpallur të sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Në të njejtën periudhë, ushtria pakistaneze po zhvillonte një luftë të ashpër kundër Al Qaidës dhe grupeve të afërta me të, që vepronin në disa provinca të Pakistanit.
“Ka pasur shumë njerëz, të cilët nuk janë pajtuar me vendimin e Musharrafit për të lidhur aleancë me SHBA-në kundër Al qaedës, pas sulmeve të 11 shtatorit. Në thelb, ata shprehën pakënaqësinë e tyre, duke ndihmuar armikun më të urryer të Amerikës”, thotë Bruce Hoffman, drejtorit të Qendrës për Studimin e Paqës dhe të Sigurinë në Universitetin Georgetown. Por Hoffman gjithashtu beson se lidhjet e Bin Ladenit me ushtrinë dhe shtetin pakistanez janë mbajtur tejet të fshehta, madje edhe nga familja e tij e ngushtë.
“Këtë nuk e kemi kuptuar nga dokumentet e konfiskuara në Abbottabad, ngase po e kuptojmë tani nga bashkëshortet e tij. Mbijetesa e tij është varur nga mbrojtja prej agjentëve të shtetit”, theksoi Hoffman.
Arsye tjetër se pse Musharrafi ndoshta nuk ka pasur njohuri për strehimoret e Bin Ladenit: ai edhe vetë ishte vënë në shënjestër të Al Qaedës, thotë Mary Habeck, e cila ka punuar si planifikuese strategjike për përballje me Al Qaedën, në administratën e presidentit George Bush.
“Fakti se Al Qaeda kishte dashur të vrasë Musharrafin dhe kishte luftuar ushtrinë e tij më thotë se nivelet më të larta të kreut politik në Pakistan dhe në ushtrinë pakistaneze nuk kanë pasur njohuri për vendndodhjen e Bin Ladenit. Mendoj se është me rëndësi të shikojmë se çfarë nuk ka dënuar Al Qaeda në kumtesat e saj gjatë kësaj periudhe. Ajo ka dënuar shtetin pakistanez, qeverinë dhe ushtrinë, por nuk ka thënë absolutisht asgjë për shërbimin e fshehtë, ISI”, thotë ajo.
Viti 2007 ishte vit vendimtar për Pakistanin: në korrik, ushtria pakistaneze filloi aksionin kundër militantëve islamik në Xhaminë e Kuqe në Islamabad, gjë që elektrizoi Al Qaedën dhe ithtarët e saj. Ky grup terrorist shfrytëzoi rrethimin e xhamisë, për të ndërmarrë sulme kundër ushtrisë pakistaneze.
Të njëjtin vit, CIA filloi të investojë në krahun më pro-amerikan të ISI-t, i njohr si krahu-T. Për vite me radhë, krahu-S i ISI-t bashkëpunoi ngushtë me militantët islamik në Kashmir dhe Afganistan.
“Ne gjithmonë kemi kërkuar që pakistanezët të bëjnë më shumë dhe të na lejojnë të bëjmë më shumë”, thotë Juan Zarate, i cili ka shërbyer si këshilltar për anti-terrorizëm në administratën Bush.
Por Zarate gjithashtu thotë se dëshmitë më të reja të Fateh sugjerojnë se “nivelet më të larta të qeverisë së Pakistanit kanë pasur njohuri për vendndodhjen e Bin Ladenit apo se kanë bërë edhe marrëveshje për ta fshehur”.
Një nga arsyet që Zaraten e shtyjnë të besojnë se Musharrafi nuk ka pasur njohuri për vendndodhjen e Bin Ladenit, është fakti se Al Qaeda ishte dy herë afër që ta vras ish-presidentin e Pakistanit.