E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush e turpëron Kosovën?

Share

Nga Mero Baze

Një miku im nga Prishtina na postoi një foto në të cilën shihet statusi që ka vendosur në Facebook një njeri i qeverisë së Kosovës. Në ato pak rreshta ai përshkruan, nuk e di  në çfarë cilësie, lutjet e Fisnik Ismailit, që policia të mos t’ja shtrëngojë fort prangat dhe katandisjen e Albin Kurtit përtokë pas sulmit të policisë. Më duken pak të sajuara, por dua t’i besoj se janë të vërteta. Dua të besoj se vërtet Fisnik Ismailit, artistit që i ka dhënë Kosovës Monumentin e parë simbolik pas çlirimit, New Born, i kanë dhemb jo vetëm fizikisht prangat në duart e lidhura pas dhe Albin Kurti është rrëzuar si refugjat në tokën e tij, prej dhunës së policisë.

Pyetja që unë shtroj pas kësaj, është se kë nderon dhe kë turpëron kjo pamje?

Kosova është sot një vend i lirë, pse perëndimi u bind,  për herë të parë në historinë e tij, se një pushteti i duhet hequr një territor nga duart, nese nuk respekton qytetarët e tij. SHBA dhe vendet perëndimore bombarduan Serbinë dhe ja hoqën nga duart Kosovën, jo për shkak të lutjeve tona patriotike apo mallkimeve për Evropën plakë që na ndau si komb, por për një arsye të cilën ata që qeverisin Kosovën, sidomos ata që e qeverisin si çlirimtarë, nuk duhet ta harrojnë kurrë.

Është cinizëm i tepërt që tashmë një pushtet i ri në Kosovë, të ndjehet mirë sepolicia poshtëron qytetarët e saj dinjitoz,  dhe të tallet me dhimbjet fizike dhe njerëzore të qytetarëve që protestojnë. Pamjet e përshkruara nga i sipërcituari, nderojnë viktimat dhe turpërojnë pushtetin. Ato pamje turpërojnë Kosovën para Perëndimit, dhe ngjallin një instikt të vjetër të politikës së Prishtinës së viteve tetëdhjetë, kur në emër të nacionalizmit mund të burgosje dhe poshtëroje këdo.

Kosova ka sot nevojë më shumë se sa për policë brutalë,  për qytetarë kurajozë, më shumë se sa për paranoja puçiste, për ballafaqim me kundërshtarët, më shumë se sa për gramafonë regjimesh, për qytetarë që ngrejnë zërin për të drejtat e tyre. Ne e  kemi parë foton e Fisnik Ismailit duke i vënë gjoksin ujit të makinave të policisë, kurse ky njeriu i regjimit të Prishtinës e paska parë duke qarë se i dhembnin prangat. Në të dyja rastet, në të dy pamjet, ai ka bërë diçka më krenare për Kosovën, se sa turpi i njeriut të pushtetit që gëzohet nga pasojat poshtëruese të dhunës.

Fisnk Ismali gjate protestes

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›