E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prodhimi bujqësor vendas, rritje në 2008

Në 6-mujorin e parë të 2008-s, prodhimi bujqësor vendas, përveçse plotësoi nevojat e vendit në masën mbi 90 për qind me perime të freskëta, shënoi dhe rritje të eksporteve për këto prodhime me 204 për qind. Rexhep Shahu, zëdhënës në Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, tha dje në një konferencë për shtyp se "kjo bë e mundur në sajë të strategjisë së qartë të zhvillimit që ka bujqësia shqiptare, të planit të veprimit dhe masave konkrete të MBUMK në këto tre vite, në kundërshtim me strategjinë e vjedhjes e rrënimit të bujqësisë që kanë pasur për 8 vite qeveritë socialiste ku importohej çdo gjë në bashkëpunim me zyrtarët e shtetit njëherësh tregtarë". Sipas tij, kundrejt vitit 2007, në vitin 2008 eksportet e domateve u rritën nga 201 ton në 655 ton, lulelakër nga 62 ton, në 1246 ton, ndërsa u eksportuan edhe 292 ton perime të tjera që nuk eksportoheshin më parë. Në një kohë kur i gjithë prodhimi i perimeve i kalon 700 mijë ton, duke plotësuar e tejkaluar nevojat e vendit, zëdhënësi Shahu tha se kjo është përgjigjja më e mirë nëpërmjet fakteve e deklaratave të opozitës se “konsumatorët shqiptarë nuk përdorin prodhime bujqësore vendi”. Duke iu referuar fakteve e shifrave reale, Shahu theksoi se qeveria shqiptare e ka rritur mbështetjen për bujqësinë e zonat rurale të vendit. Veç fondeve për mbështetje direkte apo subvencione që në 2008 janë dyfishuar duke u bërë mbi 10 milionë dollarë, edhe ndërtimi i rrugëve kryesore të vendit është mbështetje direkte për bujqësinë e zonat rurale, pasi ato rrugë së pari i shërbejnë fermerit shqiptar, e afrojnë me tregun, ia vlerësojnë pronën.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›